Presidenti i ri, Pampuri reagon në emër të grupit të Alibeajt: Bajram Begaj është zgjedhje personale e Edi Ramës
Deputetja e Grupit të Enkelejd Alibeajt, Orjola Pampuri ka reaguar në lidhje me kandidaturën për president, që do të votohet në Parlament.
Pampuri thekson se Bajram Begaj nuk mund të kundërshtohet se është ushtarak, por se sipas saj është zgjedhje personale e Edi Ramës, në bashkëpunim me mafian e pronave shtetërore.
Reagimi i Orjola Pampurit:
Edi Rama do zyrtarizojë sot në mënyrë të njeanshme emërimin e Presidentit të Republikës, që nxorri dje nga xhepi, pa asnjë proces gjithëpërfshirës dhe transparent. Propozimi i kandidatit për President nga nongratat e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, të damkosur nga SHBA se kanë vjedhur vota në bashkëpunim me krimin e organizuar, është prova e qartë e mungesës së legjitimitetit të PS për të zgjedhur njëanshmërisht Presidentin e Republikës.
Partia Demokratike bëri gjithçka dhe u perfshi në proces, në respekt të qytetareve dhe përgjegjësive të veta kushtetuese. Ne nuk bojkotuam, nuk u fshehem, nuk bëmë retorikë politike. Tentuam të ndertonim një proces që i jepte Shqiperisë një President që përfaqëson unitetin e popullit. Edi Rama nuk donte një proces gjithëpërfshirës, u tërhoq nga marrëveshja me opozitën dhe provoi para shqiptarëve që përbetimi se ishte i gatshëm për President konsensual ishte një mashtrim publik.
Legjitimimi i këtij procesi të njëanshëm dhe fshehja pas artificave procedurale, gjoja me votë kundër sepse është ushtarak, është shërbimi më i mirë për ti dhënë tiparet e normalitetit demokratik regjimit të Edi Ramës. Bajram Begaj nuk mund të kundërshtohet se është ushtarak, por se është zgjedhje personale e Edi Ramës, në bashkëpunim me mafian e pronave shtetërore. Çdo cicërimë e ndryshme është thjeshtë fasadë për të fshehur legjitimimin e kapjes së një tjetër institucioni të pavarur nga Edi Rama, pikërisht nga të njëjtët individe që deri dje akuzonin duke shpifur kolegët e tyre se po beheshin pjesë e “farsës”.