Presidenti Ilir Meta: Malësia e Madhe, kështjellë e pamposhtur dhe e përjetshme e atdhedashurisë dhe patriotizmit tonë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e përkujtimit të 100-vjetorit të Luftës së Koplikut.

Në një status në Facebook, kreu i shtetit ka ndarë disa foto nga mikëpritja që i kanë bërë banorët e Malësisë së Madhe dhe shkruan:

Malësia e Madhe është kështjellë e pamposhtur dhe e përjetshme e atdhedashurisë dhe patriotizmit tonë, ku betejat për mbrojtjen e trojeve të të parëve kanë qenë lajtmotivi i vetë jetës së burrave të kësaj toke, dhe ku virtytet e banorëve janë po aq të shndritshme sa majat e maleve të tyre që prekin qiellin.

Bashkësia e vlerave njerëzore dhe virtyteve të Malësisë së Madhe si besa, nderi, burrëria, bujaria, trimëria dhe mbi të gjitha atdhedashuria janë të njohura brenda dhe jashtë vendit.

Janë të njohura nga miqtë, por akoma më shumë nga armiqtë e këtij vendi.

Shtatë bajrakët e Malësisë së Madhe nuk e ulën kurrë pushkën dhe kokën para asnjë pushtuesi.

Hoti, Gruda, Kelmendi, Kastrati, Shkreli, Trieshi dhe Koja luftuan deri në sakrificat më sublime për identitetin, gjuhën, flamurin dhe trojet e të parëve, pavarësisht vendimit të dhunshëm të Konferencës së Londrës.

Ne krenohemi me Malësinë e Madhe, për heroizmin shekullor, eposin, identitetin dhe mesazhet e shqiptarisë që ka përcjellë brez pas brezi! 🇦🇱

SHKARKO APP