Presidenti Ilir Meta pret delegacionin britanik: Çmoj angazhimin e Anglisë për Shqipërinë

Në Presidencë Ilir Meta ka pritur këtë të enjte antarët e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri–Britani e Madhe, të shoqëruar edhe nga ambasadori Britanik në Tiranë, Alastair King Smith.

Përmes një postimi në facebook, kreu i shtetit thekson se gjatë takimit çmoi angazhimin e Britanisë në Shqipëri, veçanërisht mbështetjen në forcimin e shtetit ligjor dhe demokratik, luftën kundër krimit të organizuar, imigracionit të paligjshëm dhe reformave ekonomike.

”Emërimi i Sir Stuart Peach, si i Dërguar i Posaçëm i Kryeministrit Johnson për Ballkanin Perëndimor, është një sinjal i qartë i një angazhimi të fortë nga Mbretëria e Bashkuar për paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Postimi i plotë nga Presidenti Ilir Meta

Pata kënaqësinë të zhvilloja një takim shumë të këndshëm dhe të frytshëm me anëtarët e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri–Britani e Madhe, të shoqëruar edhe nga Ambasadori Britanik në Tiranë, Sh.T.Z. Alastair King Smith.

E vlerësova këtë vizitë si një mundësi të shkëlqyer për të nxitur bashkëpunimin ndërparlamentar midis dy vendeve, por edhe si një shtysë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimeve tregtare dhe për një prani më të madhe të kompanive britanike në Shqipëri, nisur nga fakti që Kryetari i Grupit, z.Martin Vickers mban edhe postin e të Dërguarit të Posaçëm të Kryeministrit Boris Johnson, për Tregtinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Çmova gjithashtu angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, veçanërisht mbështetjen në forcimin e shtetit ligjor dhe demokratik, luftën kundër krimit të organizuar, imigracionit të paligjshëm dhe reformave ekonomike.

Ju shpreha ligjvënësve britanikë mirënjohjen për angazhimin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar në rajonin tonë. Emërimi i Sir Stuart Peach, si i Dërguar i Posaçëm i Kryeministrit Johnson për Ballkanin Perëndimor, është një sinjal i qartë i një angazhimi të fortë nga Mbretëria e Bashkuar për paqen dhe stabilitetin në rajon.

SHKARKO APP