Presidenti Meta: 25 prilli, mundësi historike për të rikthyer në shina shtetin e së drejtës

Presidenti Ilir Meta, ka kujtuar Ditën Ndërkombëtare kundër Diskriminimit Racial. Kreu i shtetit thotë se të gjithë njerëzit në vend lindin njësoj me të drejtat dhe dinjitetin e tyre.

Përmes një postimi në facebook, Meta është shprehur se e ardhmja e vendit i takon fëmijëve, pavarsisht nga kush komunitet janë, apo çfarë statusi social kanë.

”Më 25 prill kemi një mundësi historike për të rikthyer në shina shtetin e së drejtës, që respekton liritë dhe të drejtat e çdo individi, pavarësisht gjendjes apo statusit social dhe ku çdo qytetar gëzon mbrojtje të barabartë nga ligji”,shkruan Meta në facebook.

Postimi i plotë nga Presidenti Meta

Në Shqipërinë e sotme, plot me dallime të theksuara për shkak të keqqeverisjes, nuk duhet të harrojmë kurrë parimin themelor se të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në të drejta dhe dinjitetin e tyre.

Në Ditën Ndërkombëtare kundër Diskriminimit Racial, më shumë se kurrë, duhet të angazhohemi për të promovuar tolerancën, gjithëpërfshirjen dhe respektin ndaj çdo njeriu, si dhe të luftojmë kundër të gjitha formave të racizmit, ksenofobisë, paragjykimit entik, fetar dhe kulturor, duke e kthyer Shqipërinë në një vend më të mirë dhe më të drejtë për të jetuar të gjithë.

Më 25 prill kemi një mundësi historike për të rikthyer në shina shtetin e së drejtës, që respekton liritë dhe të drejtat e çdo individi, pavarësisht gjendjes apo statusit social dhe ku çdo qytetar gëzon mbrojtje të barabartë nga ligji.

E ardhmja u takon fëmijëve të familjeve të thjeshta, pavarësisht komunitetit që u përkasin, të cilët kanë aspirata të mëdha dhe meritojnë mundësi të barabarta për të jetuar, për t’u edukuar dhe marrë pjesë në jetën publike e sociale.

SHKARKO APP