Presidenti Meta: Çdo shqiptar krenohet me “Kuvendin e Junikut”, sfidat e mëdha duhet t’i përballojmë të bashkuar

Me rastin e 110 vjetorit të Kuvendit të Junikut, Presidenti Ilir Meta ndodhet në Kosovë, ku mori pjesë në aktivitetet e organizuara nga Kosova. Përmes një postimi në facebook, kreu i shtetit thekson se çdo shqiptar krenohet me “Kuvendin e Junikut”, dhe se sfidat e mëdha duhet t’i përballojmë të bashkuar.

Postimi i plotë

Para 110 viteve Juniku u bë logu i Kuvendit të qindra patriotëve dhe rilindasve, me në krye Hasan Prishtinën, Isa Boletinin dhe Bajram Currin, nga ku u dha kushtrimi për liri dhe pavarësi nga zgjedha shumëshekullore osmane dhe mbrojtjen e trojeve shqiptare nga fqinjët grabitqarë.

Ndaj sot çdo shqiptar krenohet me “Kuvendin e Junikut” dhe veprën e lavdishme të këtyre burrave të mëdhenj të kombit tonë, që frymëzon në çdo kohë.

I nderuar që së bashku me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani të përshëndesja përkujtimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme, që i parapriu Pavarësisë së Shqipërisë, për të theksuar mesazhin se sfidat e mëdha mund dhe duhet t’i përballojmë vetëm duke qenë të bashkuar në frymën e dashurisë për kombin dhe trojet tona, dhe me krenarinë e të qenit shqiptarë.

SHKARKO APP