Presidenti Meta dekoron heronjtë për rezistencën heroike antifashiste me rastin e 82-vjetorit (FOTO)
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka dekoruar dëshmorët për rezistencën heroike antifashiste. Me rastin e 82-vjetorit të 7 prillin 1939, e cila njihet si dita e rezistencës antifashiste, Meta dekoroi pas vdekjes dy partizanët Isak Metalia e Xhevdet Ballanca. Sipas kreut të shtetit, dëshmorët që ranë më 7 prill 1939, ishin frymëzuesit e rezistencës që mobilizoi popullin deri në çlirimin e plotë të vendit më 29 nëntor 1944. ”Është detyra jonë t’i mbrojmë Heronjtë dhe veprat e tyre, pavarësisht ideologjive, periudhave dhe sistemeve, sepse në këtë mënyrë ne ruajmë kombin dhe rrënjët tona, që mbrohen më mirë duke i edukuar të rinjtë me patriotizëm dhe dashurinë për Atdheun”,-shkruan Meta në facebook.
Mesazhi i plotë nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta
Sot përkujtojmë 7 prillin 1939, një ditë të zezë në historinë e Shqipërisë, por edhe një ditë nderimi për rezistencën heroike antifashiste të patriotëve tanë më të kulluar, që në momentin më të vështirë, i dolën për zot Atdheut, duke mos kursyer as jetën e tyre. Dëshmorët që ranë në këtë ditë, ishin edhe frymëzuesit e Rezistencës së shkëlqyer të mëpasshme, që mobilizoi popullin deri në Çlirimin e plotë të vendit më 29 nëntor 1944.
Për heroizmin, trimërinë dhe sakrificën më sublime në mbrojtje të lirisë dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë, si shembull i patriotizmit e atdhedashurisë, pata sot nderin të vlerësoj Heroin Isak Metalia me “Dekoratën e artë të shqiponjës”. E paharruar do të jetë deklarata e tij para se të jepte jetën: “Unë e kam nda mendjen me luftue për vendin tim. U thoni fëmijëve të mi se vdiqa për Shqipërinë”.
Gjithashtu, për kontributin madhor si ushtarak patriot dhe qytetar i devotshëm i vendit, duke u bërë shembull frymëzimi për brezat e rinj vlerësova sot edhe Xhevdet Ballancën, luftëtarin aktiv antifashist dhe anëtarin e Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Nacionalçlirimtar, të zgjedhur nga Konferenca e Pezës.
Me rastin e përkujtimit të 7 prillit 1939, pata kënaqësinë të vlerësoj edhe Doktorin e Shkencave, historianin e shkrimtarin e njohur Sali Hidri, i cili ka organizuar vit pas viti aktivitete të ndryshme në nderim të Dëshmorëve të rezistencës të kësaj date. Çdo kohë dhe periudhë historike ka Heronjtë e saj dhe ky truall ka lindur e do të rritë gjithmonë Heronj, për të mbajtur gjallë amanetin e të parëve tanë brez pas brezi.
Është detyra jonë t’i mbrojmë Heronjtë dhe veprat e tyre, pavarësisht ideologjive, periudhave dhe sistemeve, sepse në këtë mënyrë ne ruajmë kombin dhe rrënjët tona, që mbrohen më mirë duke i edukuar të rinjtë me patriotizëm dhe dashurinë për Atdheun.