Presidenti Meta dekoron këngëtarin Ylli Baka: Mbrojtës dhe promovues i trashëgimisë kulturore shqiptare
”Për kontributin e dhënë në prezantimin e këngës popullore të Jugut, brenda e jashtë vendit, për mbrojtjen e promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, kisha sot kënaqësinë të vlerësoja edhe në emrin tuaj, Ylli Bakën, me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh””. Kështu shkruan Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në postimin në facebook, teksa shihet krah këngëtarit, i cili vlerësimin më të madh shtetëror e mori sot në Presidencë.
Postimi i plotë nga Presidenti Ilir Meta
Ylli Baka nuk ka nevojë për shumë prezantim sepse të rrallë janë shqiptarët, që të mos kenë dëgjuar dhe kënduar të paktën një prej këngëve të tij.
Shumë i dashur dhe i vlerësuar për zërin magjik dhe interpretimin karakteristik, ai tashmë i ka fituar me meritë zemrat dhe duartrokitjet e ngrohta të publikut, duke u bërë me repertorin e tij, pjesë e pandashme e gëzimeve në familjet shqiptare.
Për kontributin e dhënë në prezantimin e këngës popullore të Jugut, brenda e jashtë vendit, si dhe për mbrojtjen e promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, kisha sot kënaqësinë të vlerësoja edhe në emrin tuaj, Ylli Bakën, me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.