Presidenti Meta dekoron kryetarin e shoqatës “Bashkimi i Përgjithshëm i Pensionistëve të Shqipërisë”

Me rastin e Ditës Botërore të të Moshuarve, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot kryetarin e shoqatës “Bashkimi i Përgjithshëm i Pensionistëve të Shqipërisë”, Faik Xhani me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Në vlerësim të devotshmërisë dhe përkushtimit në të gjitha detyrat që ka kryer; për ndihmën e pakursyer në themelimin, drejtimin dhe funksionimin e disa organizatave joqeveritare në vendin tonë; si hulumtues serioz, publicist dhe autor e redaktor i disa librave me vlera artistike dhe publicistiko-letrare, si dhe për kontributin e veçantë në ndihmë të pensionistëve të Shqipërisë dhe njerëzve në nevojë”.
Në ceremoninë solemne të dekorimit të zhvilluar në Institucionin e Presidentit të Republikës, në prani të përfaqësuesve të shoqërisë civile, aktivistëve të mbrojtjes së të drejtave të të moshuarve, intelektualëve dhe gazetarëve, Kreu i Shtetit u shpreh se ky vlerësim ka një simbolikë të madhe sepse bëhet sot, në datën 1 Tetor, Ditën Botërore të të Moshuarve.
“Ky vit është i rëndësishëm, sepse shënon 30 vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve. Fatkeqësisht, ky përvjetor ndodh në një situatë emergjence, si COVID-19, që sjell rreziqe të mëdha, veçanërisht për moshat më të vjetra.
Sot në botë kemi ndryshme rrënjësore demografike, me një rritje të madhe të numrit të të moshuarve, numër i cili do të vazhdojë të rritet edhe në dekadat e ardhshme.
Zgjatja e jetës duhet parë si një mundësi e jashtëzakonshme, jo vetëm për të moshuarit, por edhe për familjet e tyre dhe për të gjithë shoqërinë. Ajo sjell mundësinë që të moshuarit të vazhdojnë të kontribuojnë në shumë mënyra si për familjen dhe për komunitetin”,- tha kreu i shtetit.

SHKARKO APP