Presidenti Meta dekoron Rexhep Meidanin: Një burrë shteti është një politikan që vendos veten në shërbim të kombit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me rastin e 76-vjetorit të lindjes, ish-Presidentin e Republikës, Prof.Dr. Rexhep Meidani, me Dekoratën më të lartë, atë të “Flamurit Kombëtar”, me motivacionin:

“Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje ndaj përgjegjësisë së lartë shtetërore dhe atdhetare të treguar si President i Republikës së Shqipërisë në vitet 1997-2002; për kontributin e çmuar dhënë për reformën e rëndësishme të Kushtetutës së re të Republikës së Shqipërisë dhe për mbajtjen e referendumit të miratimit të saj në vitin 1998, si dhe për zhvillimin e demokracisë dhe për ngritjen dhe forcimin e institucioneve të pavarura në vendin tonë. Me nderim ndaj përpjekjeve të vendosura në mbështjetje të çështjes së Kosovës në veçanti dhe asaj kombëtare në përgjithësi. Gjithashtu, edhe për veprimtarinë e spikatur shkencore dhe akademike në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”.

Në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast, ishin të pranishëm Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ish-Presidentët e Shqipërisë, Sali Berisha, Bujar Nishani dhe Bamir Topi, Kryetari i Opozitës së Bashkuar, Lulzim Basha, ish-kryeministri dhe Ministër për Diasporën, Pandeli Majko, Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, deputetë, politikanë, diplomatë, akademikë, shkencëtarë, gazetarë dhe personalitete të shquara nga shumë fusha nga Shqipëria dhe Kosova.

Fjala e plotë e Presidentit Ilir Meta

Të nderuar zonja dhe zotërinj, ”Edukimi dhe morali krijojnë njeriun e mirë, shtetarin e mirë, drejtuesin e mirë”, na mëson Aristoteli. E nisa me këto fjalë të një njeriu të madh sepse mishërojnë më së miri figurën dhe personalitetin e Prof. Dr. Rexhep Meidani, i cili jo vetëm ka arritur majat e edukimit por ka qenë e vazhdon të mbetet edhe një shembull i spikatur i moralit, vlerave dhe dinjitetit njerëzor; një shtetar i vërtetë, një President dhe figurë politike, akademike dhe civile, i dalluar gjithmonë për modestinë, përgjegjshmërinë dhe ndikimin pozitiv në vendin dhe shoqërinë tonë.

Jeta publike e Prof. Dr. Rexhep Meidanit është e njohur dhe e vlerësuar nga të gjithë shqiptarët për përgjegjësinë e lartë shtetërore dhe atdhetare që ai tregoi si President i Republikës në vitet 1997-2002, vite të cilat njihen si ndër më të vështirat në periudhën post-komuniste.

Jo vetëm në detyrën e Kreut të Shtetit, por edhe më herët, Profesor Meidani ka dhënë një kontribut të madh për konsolidimin dhe zhvillimin e atij ideali tek i cili ai ka besuar gjithnjë me shumë forcë dhe qëndrueshmëri, demokracinë, duke punuar me përkushtim për përçimin e frymës gjithëpërfshirëse në politikë, në qeverisje, institucione dhe shoqëri.

Duke investuar të gjithë kapacitetin e tij intelektual, politik dhe njerëzor, në shërbim të ngritjes dhe forcimit të institucioneve të pavarura në Shqipëri. Ai mori detyrën si Kreu i Shtetit në momentet më kritike për vendin, siç ishte viti 1997, duke kontribuar me sukses në rimëkëmbjen e rendit institucional dhe të vetë shtetit shqiptar. Mbetet i një rëndësie të veçantë kontributi i Profesor Meidanit në reformën e rëndësishme të Kushtetutës së re të Republikës së Shqipërisë dhe për suksesin e referendumit të miratimit të saj në vitin 1998.

Ai moment historik, miratimi me referendum i Kushtetutës së Shqipërisë, i hartuar nga mendjet më të ndritura të vendit dhe Komisionit të Venecias, dhe i bazuar mbi shembujt dhe parimet më të vyera të demokracisë dhe ndarjes së pushteteve, në përputhje me standardet më të avancuara europiane, dëshmon për vullnetin e madh që personalitete dhe shtetarë të vërtetë të kohës, si Profesor Meidani, e shumë figura të tjera të njohura, kishin që sovraniteti në Republikës së Shqipërisë t’i përkasë vetëm popullit shqiptar. Ai moment historik shërbeu si piketa më e rëndësishme dhe guri i themelit në rimëkëmbjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

“Forca e Kushtetutës qëndron tërësisht në këmbënguljen e secilit qytetar për ta mbrojtur atë. Vetëm nëse secili qytetar bën pjesën e tij për ta mbrojtur atë, janë të drejtat kushtetuese të sigurta”, ka thënë Albert Ajshtain, njeriu dhe gjeniu i shkencës. Ndaj edhe Profesor Meidani, i ardhur po nga fusha e shkencës dhe fizikës, nën përgjegjësinë e tij institucionale besoi dhe kontribuoi që Kushtetuta e vendit duhet t’i përkiste vetëm qytetarëve dhe përmes referendumit, populli shqiptar të jepte verdiktin e tij final.

Profesor Meidani njihet dhe vlerësohet për përpjekjet e tij të palodhura dhe të frytshme edhe në mbështetje të çështjes së Kosovës. Ai ishte Presidenti i Shqipërisë gjatë Luftës së Kosovës dhe i mikpritjes së madhe që vendi ynë ju rezervoi 1 milionë vëllezërve dhe motrave nga Kosova, të cilët të detyruar nga gjenocidi i Milloshevicçt u strehuan në Shqipëri dhe u mirëpritën nga familjet shqiptare, gjetën ngrohtësi nga solidariteti historik i Kukësit por edhe në çdo vatër shqiptare që nga Tropoja e deri në Sarandë.

Roli i unitetit kombëtar i Presidentit Meidani në atë moment historik ishte një vlerë e shtuar për të gjitha forcat politike, që edhe pse vinim nga një ndarje e thellë e vitit 1997, të shfaqeshin si një komb me një qëndrim. Më 24 maj 2000 Presidenti Rexhep Meidani, vizitoi Kosovën duke shënuar vizitën e parë nga një kryetar shteti që nga themelimi i shtetit shqiptar. President i Republikës së Shqipërisë, deputet dhe politikan, Profesor Meidani është një personalitet i shquar edhe në fushën akademike me një veprimtari të spikatur shkencore me arritje të vyera akademike.

Si anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, honoris causa nga universitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit; mbajtës i shumë titujve nderi dhe gradave akademike nga shumë institucione të huaja që nga SHBA, Itali, Greqi, Mbretëria e Bashkuar, por edhe atyre të hapësirave shqiptare si Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia, dhe si autor i shkrimeve dhe botimeve shkencore dhe politike, Profesor Meidani mbetet një nga personalitetet më të shquara të vendit tonë, me të cilin ne krenohemi kudo.

Dija dhe njohuritë e tij të thella shkencore dhe akademike, por edhe përvoja e tij e gjerë shtetërore dhe politike, të ndërthurura me vlerat e spikatura njerëzore janë transmetuar në shumë breza studentësh të cilët e kujtojnë gjithmonë Rexhep Meidanin si Profesorin e tyre model. Modestia dhe profesionalizmi, shpalosja e jashtëzakonshme e shtetarisë dhe atdhedashurisë që Profesor Meidani ka treguar në të gjithë karrierën dhe jetën e tij, duhet të shërbejë si shembull për politikanët e sotëm. Për të vendosur Atdheun dhe kombin përpara çdo ambicie pushteti; për të promovuar demokracinë kur rendi kushtetues dhe institucional është i cenuar; për ta bashkuar vendin kur ka përpjekje serioze për ta përçarë.

Për të ndihmuar e jo penguar rrugëtimin e Shqipërisë drejt familjes europiane; për të treguar përgjegjshmëri institucionale në çdo nivel të qeverisjes apo të shtetit; dhe mbi të gjitha për të ruajtur e mbrojtur të gjitha ato arritje dhe angazhime euro-atlantike që vendi ynë i ka fituar me aq shumë mund e sakrificë. Kam qenë i nderuar që edhe në rolin e Kryeministrit të Shqipërisë në vitet 1999-2002 të bashkëpunoja me një President të Republikës me plot integritet, dinjitet dhe me përgjegjësi tejet të lartë shtetërore si Profesor Meidani.

Por sot jam edhe më i privilegjuar, t’i akordoj Profesor Meidanit, një personaliteti të tillë kaq të shquar dhe me vlera të rralla për vendin tonë “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”. “Një burrë shteti është një politikan që e vendos veten në shërbim të kombit. Një politikan është një drejtues shteti që e vendos kombin në shërbim të vetes”, – ka thënë Xhorxh Pompidu.

Profesor Meidani ju falenderojmë që ju e keni vendosur gjithmonë veten dhe të gjitha aftësitë tuaja në shërbim të kombit. Dhe sot, me rastin e 76-vjetorit të lindjes, ju uroj shëndet e mbarësi, dhe në emër të gjithë shqiptarëve ju shpreh mirënjohjen për të gjithë kontributin tuaj shumë të çmuar për Shqipërinë dhe shqiptarët”,- u shpreh Presidenti Meta.

Duke e falenderuar përzemërisht Kreun e Shtetit për vlerësimin që i bëri me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, më të lartën në Republikën e Shqipërisë, ish-Presidenti Meidani u shpreh se ”Me këtë Dekoratë që u nderua nga shtetit shqiptar edhe Presidenti Klinton, pas çlirimit të Kosovës, nderohem dhe unë sot dhe për këtë arsye jam sinqerisht mirënjohës, për vlerësimin e lartë të punës, jetës dhe të angazhimit tim në funksion të zhvillimit politik, institucional dhe social-kulturor të vendit, emancipimit demokratik të popullit dhe konsolidimit integrues dhe unifikues të kombit shqiptar. Në këtë rrugë të gjatë jetësore dhe sfidat nuk kanë qenë të pakta, apo të vogla”.

Fjala e plotë e ish-Presidentit Rexhep Meidani

Në rradhë të parë, më lejoni të falënderoj Presidentin Meta, për këtë vlerësim tepër të veçantë, madje krejt të papritur me rastin e 76-vjetorit të lindjes. Në të vërtetë Dekorata e “Flamurit Kombëtar” është dekorata më e lartë në Republikën e Shqipërisë.

Me këtë Dekoratë që u nderua nga shtetit shqiptar edhe Presidenti Klinton, pas çlirimit të Kosovës, nderohem dhe unë sot dhe për këtë arsye jam sinqerisht mirënjohës, për vlerësimin e lartë të punës, jetës dhe të angazhimit tim në funksion të zhvillimit politik, institucional dhe social-kulturor të vendit, emancipimit demokratik të popullit dhe konsolidimit integrues dhe unifikues të kombit shqiptar. Në këtë rrugë të gjatë jetësore dhe sfidat nuk kanë qenë të pakta, apo të vogla.

Më kanë ndihmuar, për të qëndruar me këmbë në tokë dhe për të ruajtur edhe në momente mjaft të vështira, aspektin racional dhe human, përgjegjësinë sociale dhe drejtësinë njerëzore, aset që u krijua dhe u edukua tek unë, nga familja, nga rrethi miqësor dhe shkolla, nga mjedisi universitar dhe shkencor.

Së fundmi, nuk mundem të mos theksoj që në këtë nderim të sotëm, është mishëruar në një mënyrë apo në një tjetër dhe kontributi dhe mbështetja e njerëzve të mi të afërt.  Të ish-studentëve dhe kolegëve, të miqve e bashkëpunëtorëve të ngushtë, një pjesë tepër e vogël e të cilëve janë të pranishëm edhe në këtë ceremoni.
Midis tyre si kryeministër i suksesshëm i dy qeverive socialiste ka qenë edhe zoti Ilir Meta, sot President i Shqipërisë.

Kontributi i tij, së bashku me atë të kryetarit të Kuvendit Skënder Gjinushi, dhe kryeministrit Majko, kanë qenë vendimtare në zhvillimin e Referendumit, për miratimin nga populli të Kushtetutës së Shqipërisë. Po përfitoj nga ky rast që të shpreh për të dhe për të gjithë kolegët dhe miqtë, mirënjohjen dhe respektin tim të thellë.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/329883388385964/?q=ilir%20meta&epa=SEARCH_BOX

SHKARKO APP