Presidenti Meta dekoron tre ish-futbollistë të Tiranës: Modeli dhe suksesi i tyre, është shembull për fëmijët
Presidenti Ilir Meta ka dekoruar tre ish-futbollistë me titullin “Mjeshtër i Madh”, Pavle Bagaviki, Bujar Tafaj dhe Perikli Dhale. Të tre këta futbollistë kanë luajtur në skuadrën e Tiranës. Kreu i Shtetit shkruan në facebook, se modeli dhe suksesi i këtyre futbollistëve, është një shembull frymëzimi për fëmijët dhe brezin e tanishëm. ”Modeli dhe sukesesi i arritur nga përfaqësuesit e asaj gjenerate të lavdishme futbollistësh, janë shembull frymëzimi për edukimin e fëmijëve me dashurinë për sportin dhe një trashëgimi e çmuar mbi të cilën duhet të mbështetemi për përgatitjen e talenteve të reja, që do ta ngrejnë edhe më lart dinjitetin e fanelës bardhë e blu dhe kuq e zi”,-shkruan Meta.
Postimi i plotë
Me mirënjohje për kontributin e vyer të dhënë për zhvillimin cilësor të futbollit shqiptar, për personalitetin e gjithanshëm të treguar gjatë karrierës së tyre, për rezultatet e larta të arritura, si dhe për cilësitë e shkëlqyera të dëshmuara si lojtarë, pata kënaqësinë të vlerësoja me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, tre kampionë të Tiranës, mesfushorin e shkëlqyer, kapitenin Pavle Bagaviki, portierin e pakalueshëm Bujar Tafaj dhe mbrojtësin legjendar, të paharruarin Perikli Dhales.
Futbolli shqiptar ka nderin të ketë në histori skuadrën e “Tiranës”, që me rezultatet dhe futbollistët e saj lartësoi jo vetëm emrin e kryeqytetit tonë, por të mbarë sportit shqiptar.
Modeli dhe sukesesi i arritur nga përfaqësuesit e asaj gjenerate të lavdishme futbollistësh, janë shembull frymëzimi për edukimin e fëmijëve me dashurinë për sportin dhe një trashëgimi e çmuar mbi të cilën duhet të mbështetemi për përgatitjen e talenteve të reja, që do ta ngrejnë edhe më lart dinjitetin e fanelës bardhë e blu dhe kuq e zi.