Presidenti Meta dekreton 5 kolonelë dhe një kapiten të Ushtrisë

Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka dekretuar dhënien e gradave “Gjeneral Brigade” për 6 drejtues të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, Presidenti Meta ka dekretuar dhënien e gradës madhore për drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë, Ilir Koço Pujo.

Po ashtu gradën madhore e ka marrë edhe Petrit Cuni, Ferdinand Dimo, Edison Zarka, Ylli Pulaj.

Ndërkohë që Adnand Agastra ka marrë gradën madhore “Kundëradmiral”

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, pas shqyrtimit të propozimeve të Ministrit të Mbrojtjes, ditën e sotme, ka dekretuar dhënien e Gradave Madhore, për disa drejtues të lartë të Forcave të Armatosura, si vijon:

– Kolonel Petrit Pal Çuni, me detyrë “Përfaqësues Ushtarak Kombëtar”, në Përfaqësinë Ushtarake Jashtë Vendit, në Ministrinë e Mbrojtjes, i jepet grada madhore “Gjeneral Brigade”.

– Kolonel Ferdinant Vasil Dimo, me detyrë “Komandant”, në Qendrën e Arsimimit Profesional të Ushtarit (Qendra e Stërvitjes Bazë), në Akademinë e Forcave të Armatosura, i jepet grada madhore “Gjeneral Brigade”.

– Kapiten i Rangut të Parë Adnand Dëfrim Agastra, me detyrë “Shef i Degës së Operacioneve dhe Stërvitjes”, në Forcën Detare, i jepet grada madhore “Kundëradmiral”.

– Kolonel Editson Jani Zarka, me detyrë “Drejtor i Inspektimit të Përgjithshëm”, në Ministrinë e Mbrojtjes, i jepet grada madhore “Gjeneral Brigade”.

– Kolonel Ilir Koço Pujo, aktualisht me detyrë “Drejtor i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes” (AISM), i jepet grada madhore “Gjeneral Brigade”.

– Kolonel Ylli Nikol Pulaj, aktualisht me detyrë Zëvendëskomandant i Forcave Ajrore, i jepet grada madhore “Gjeneral Brigade”.

Presidenti i Republikës dhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Sh.T.Z. Ilir Meta, në zbatim të Kushtetutës dhe të ligjit nr. 64/2014 “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, vlerësoi propozimet dhe masat e marra në kohë për plotësimin e strukturave me personel me Grada Madhore të Forcave të Armatosura, masa këto të cilat do t’i shërbejnë motivimit të mëtejshëm të ushtarakëve profesionistë në përmbushjen e misionit të tyre, dhe detyrave që burojnë nga Kushtetuta dhe Ligji.

SHKARKO APP