Presidenti Meta dekreton ambasadorin e ri në Turqi, Kastriot Robo

Pasi Gent Gazheli u lirua nga detyra si ambasador në Republikën e Turqisë, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dekretoi emërimin në këtë detyrë të Kastriot Robo. Ditë më parë Robo ishte në Komisionin e Politikës së Jashtme për një seancë dëgjimore. Përpara anëtarëve të komisionit, diplomati i karrierës shpalosi prioritetet e tij në krye të diplomacisë shqiptare në Turqi, ku u ndal te diplomacia ekonomike dhe ajo publike. Kastriot Robo është një diplomat karriere prej më shumë se 30 vitesh. Ai ka shërbyer si ambasador në Greqi, në Mbretërinë e Bashkuar, në Spanjë e në Danimarkë.

D E K R E T

PËR EMËRIM AMBASADORI NË DETYRË

Në mbështetje të nenit 92, shkronja “dh” dhe nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 26, të ligjit nr. 23/2015 “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozim të Kryeministrit,

D e k r e t o j:

Neni 1

Z. Kastriot Robo, emërohet ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Turqisë, rezident, si dhe ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Azerbajxhanit, në Republikën Islamike të Iranit, në Republikën e Kirgistanit, në Republikën Islamike të Pakistanit, në Republikën e Gjeorgjisë, në Republikën Islamike të Afganistanit dhe në Republikën e Kazakistanit, jorezident.

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Nr. Dekretit 11357
Tiranë, më 19.11.2019

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR META

SHKARKO APP