Presidenti Meta dekreton emërimin e gjyqtares së re të Gjykatës së Lartë, Arbena Ahmeti

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar emërimin e gjyqtarit më të ri të Gjykatës së Lartë.

Arbena Ahmeti do të jetë anëtarja më e re në Gjykatën së Lartë, e cila është përzgjedhur për t’u emëruar në këtë Gjykatë përmes procedurave të ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqësorit, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Me këtë emërim të ri, Gjykata e Lartë, nga sot bëhet me 10 (dhjetë) gjyqtarë, nga 19 anëtarë, që duhet të ketë.

Njoftimi i plotë

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta në datën 10 shkurt 2022, ka administruar propozimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për emërimin e zonjës Arbena Ahmeti si anëtarja më e re në Gjykatën së Lartë, e cila është përzgjedhur për t`u emëruar në këtë Gjykatë përmes procedurave të ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqësorit.

Presidenti Meta, pasi shqyrtoi vendimmarrjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe propozimin e përcjellë nga ky organ, së bashku me praktikën dokumentare të ngritjes në detyrë për në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative, të shpallur për kandidim që prej datës 26.2.2020, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës, nenit 48, pika 11 dhe 13 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka pranuar propozimin e KLGJ-së, dhe sot përmes Dekretit nr. 13477, datë 16.02.2022, ka vendosur që:

• Zonja Arbena Ahmeti emërohet gjyqtare e Gjykatës së Lartë.

Me këtë emërim të ri, Gjykata e Lartë, nga sot bëhet me 10 (dhjetë) gjyqtarë, nga 19 anëtarë, që duhet të ketë.

Presidenti i Republikës, në mbështetje të Kushtetutës, dhe me vullnetin që Gjykata e Lartë të jetë sa më shpejt plotësisht funksionale me të gjithë trupën e nevojshme të saj, i bën thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor që të vijojë punën me impenjim të plotë, të pandërprerë, me transparencë, me qëllim përfundimin pa vonesë të procedurave për plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë numrin e nevojshëm të gjyqtarëve.

SHKARKO APP