Presidenti Meta dekreton menjëherë ndryshimet e fundit në qeveri
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka dekretuar menjëherë ndryshimet e fundit në qeveri. Dorëheqjen e Sandër Lleshjat dhe emërimin e Bledi Çuçit dhe Milva Ekonomit, përkatësisht Çuçi si ministër i Brendshëm dhe Ekonomi si ministër i Bujqësisë. Kjo lëvizje në qeverinë Rama ka ardhur pas dorëheqjes së Sandër Lleshajt nga posti i ministrit të Brendshëm pas vrasjes së Klodian Rashës nga një efektiv policie.
Bledi Çuçi u bë pjesë e strukturave drejtuese të PS-së që në vitin 2007, kur u zgjodh anëtar i Asamblesë Kombëtare dhe kryetar i Komisionit të Asamblesë për Çështjet e Pushtetit Vendor. Që prej shkurtit 2012, ai mban edhe detyrën e Nënsekretarit për Çështjet Zgjedhore në PS. Në qeverinë ”Rama 1”, prej shtatorit 2013, për tre vjet e gjysmë Bledi Çuçi ushtroi detyrën si Ministër Shteti për Çështjet Vendore dhe Kordinator Kombëtar kundër Korrupsionit. Në këtë detyrë, ai udhëhoqi punën për përgatitjen dhe zbatimin e Reformës Administrative Territoriale. Zoti Çuçi është i dërguar politik i PS në Gjirokastër.
Milva Ekonomi aktualisht kryetare e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë iu bashkua kabinetit qeverisës të kryeministrit Rama si ministre e Ekonomisë në vitin 2016. Në zgjedhjet e 2017 ajo u zgjodh deputete në Durrës. Zonja Ekonomi ka shërbyer edhe si zëvendës ministre e shëndetësisë. Nga viti 1994 deri në 2005 Ka shërbyer si Drejtoreshë e Përgjithshme i Institutit të Statistikave të Shqipërisë.