Presidenti Meta: Dënoj me forcë aktet e rënda kriminale. Kërcënim serioz për rendin dhe sigurinë e jetës
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar lidhur me ngjarjet e fundit në vend, vrasja në Fier dhe grabitja në Krujë.
Në një postim në Facebook, kreu i shtetit shkruan se dënon me forcë aktet tepër të rënda kriminale të ditëve të fundit, të cilat sipas tij përbëjnë një kërcënim serioz për rendin, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve.
“Dënoj me forcë aktet tepër të rënda kriminale të ditëve të fundit, vrasjen e biznesmenit Backa në qendër të Fierit, si dhe grabitjen dhe torturimin e biznesmenit Çangu në Nikël të Krujës.
Këto ngjarje, që kanë tronditur thellë opinionin publik, përbëjnë një kërcënim serioz për rendin, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve, por edhe për zhvillimet ekonomike dhe sociale të vendit.
I bëj thirrje Policisë së Shtetit, Prokurorisë, Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe të gjithë institucioneve të tjera ligjzbatuese në vend, të forcojnë bashkëpunimin për arrestimin e menjëhershëm të autorëve me rrezikshmëri të lartë dhe vënien e tyre para drejtësisë, por edhe për të marrë të gjitha masat efektive për të parandaluar ngjarje të tilla të rënda dhe tronditëse kriminale”, shkruan Presidenti Meta.