Presidenti Meta i pyetur nga Fevziu se “a keni rikthim dashurie me Ramën” tha: “Kam qenë, jam dhe do jem në mbrojtje të Kushtetutës. Nuk kam ndryshuar!
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në një intervistë në emisionin “Opinion” deklaroi se shtyrja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore duhet të ishte me një afat më të shkurtër se dymujor. Kreu i shtetit tha se ende nuk ka një qëndrim për këtë kërkesë të qeverisë, pasi nuk ka parë argumentet ku është bazuar.
“Mendoj se kjo shtyrje mund të ishte bërë me një afat 30-ditor, megjithatë duhet të shoh argumentet dhe relacionin”,- tha Presidenti Meta. Qeveria ka kërkuar shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor, ndërkohë që Kushtetuta përcakton se situatat e emergjencës dhe gjendjes së jashtëzakonshme duhet të shpallen jo më shumë se 30 ditë.
Lidhur me marrjen e masave nga qeveria, Presidenti Meta u shpreh se nuk kanë qenë të ashpra dhe ishin të nevojshme. “Nuk mendoj se ka qenë e ekzagjeruar, për arsye se ne jemi fqinj të Italisë dhe jemi vendi që kemi marrëdhënie më të ngushta. Italia ishte një nga viktimat kryesore të kësaj pandemie”,- tha kreu i shtetit.
Në lidhje me pyetjen provokative të Fevziut se a ka një “pranverë dashurie” mes Jush dhe Edi Ramës dhe a keni ndryshuar qëndrim në lidhje me këtë mazhorancë, Presidenti tha se “Kam qenë, jam dhe do jem në mbrojtje të Kushtetutës. Nuk kam ndryshuar!”.
https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/260267911824086/