Presidenti Meta: I vendosur të mos lejoj asnjë vendimmarrje korruptive për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Vjosë

Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur fituesin e çmimit alternativ “Nobel”, Michael Succow, për përkrahjen publike të dhënë për kauzën e krijimit të Parkut Kombëtar të Vjosës, përgjatë gjithë lumit duke përfshirë edhe degët e tij.

Në një postim në Facebook, Presidenti Meta shkruan se “Ndaj të njëjtin qëndrim me ekologjistin e shquar gjerman, të shprehur edhe në letrën drejtuar Kryeministrit ende në detyrë, por edhe autoriteteve më të larta të Bashkimit Europian, për të ndalur çdo projekt shkatërrimtar në lumin Vjosa, që siç me të drejtë ai e cilëson “është një dhuratë e madhe jo vetëm për banorët e Shqipërisë, por për të gjithë europianët dhe më gjerë“.

Postimi i plotë i Presidentit Ilir Meta në Facebook

E përshëndes fituesin e çmimit alternativ “Nobel”, Michael Succow, për përkrahjen publike të dhënë për kauzën e krijimit të Parkut Kombëtar të Vjosës, përgjatë gjithë lumit duke përfshirë edhe degët e tij.
Ndaj të njëjtin qëndrim me ekologjistin e shquar gjerman, të shprehur edhe në letrën drejtuar Kryeministrit ende në detyrë, por edhe autoriteteve më të larta të Bashkimit Europian, për të ndalur çdo projekt shkatërrimtar në lumin Vjosa, që siç me të drejtë ai e cilëson “është një dhuratë e madhe jo vetëm për banorët e Shqipërisë, por për të gjithë europianët dhe më gjerë”.
Tashmë kur kauzës tonë i janë bashkuar 36 organizata mjedisore vendase dhe të huaja, ndër ta edhe aktori e artisti i jashtëzakonshëm Leonardo di Caprio, Qeveria ende në detyrë duhet të dëgjojë zërin e komunitetit e të gjithë aktivistëve, si dhe të tërhiqet urgjentisht nga çdo projekt arbitrar, që shkatërron këtë pasuri e trashëgimi natyrore kombëtare, me rëndësi të jashtëzakonshme dhe potencial të madh turistik.
Jemi të vendosur, që deri më 25 prill, të mos lejojmë me mjete demokratike çdo vendimmarrje arbitrare, korruptive dhe të dyshimtë për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Vjosa.
Referendumi historik është një mundësi e shkëlqyer për ne dhe komunitetin përgjatë lumit Vjosa për t’i dhënë ndëshkimin e merituar me votë të gjithë atyre që këtë pasuri kombëtare dhe europiane duan ta zhvatin për llogari të pasurimit të një grushti oligarkësh. 🇦🇱

SHKARKO APP