Presidenti Meta: Ka Gjykatë Kushtetuese, por ka edhe Gjykatë Europiane. Nuk kam asnjë shqetësim

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka folur për Gjykatën Kushtetuese dhe për vendimin që kjo gjyktatë pritet të marrë të enjten, në lidhje me kërkesën e Kuvendit për shkarkimin e tij nga institucioni i Presidencës. Ai thotë se nuk ka asnjë shqetësim, sepse për të ka edhe Gjykatë Europiane. ”Ka Gjykatë Kushtetuese, por ka edhe Gjykatë Europiane, sepse ne jemi një vend europian dhe padyshim që ajo është mbi gjykatat kombëtare. Kështu që unë nuk kam asnjë shqetësim”,-tha për ”Fax News”.

Pjesë nga deklarata

Kam 6-7 vite që kam luftuar që Shqipëria të mos ngelej një ditë të vetme pa një anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Është më e rëndësishme sesa Presidenti, sesa qeveria, sesa Parlamenti, se është një institucion që duhet të mbrojë Kushtetutën, por që mbron edhe sovranitetin, edhe integritetin e vendit.

Ne kemi kërkuar që Gjykata të shprehej që në korrikun e vitit 2021, kur i mbaronte mandati Parlamentit të shkarkuar, sepse pasi u shkarkua vetë më 25 prill, u mblodh dhe u kujtua që duhet të më shkarkonte edhe mua.

Gjykatës Kushtetuese i takonte, kjo është çështje e rëndësishme formalisht, pasi të gjithë e dimë se ajo ka të bëjë me nenin e “Agjitacion-Propagandës”, sepse unë kam dhënë intervistë te kolegu juaj Çim Peka, por nuk ka rëndësi, por formalisht, është një çështje e rëndësishme: Presidenti i Republikës quhet formalisht i shkarkuar nga Kuvendi.

Atëherë Gjykata Kushtetuese duhet ta trajtojë këtë çështje, aq më tepër që kjo ishte një çështje e Kuvendit të kaluar, por edhe atij i takonte që ta merrte përsipër që ta çonte deri në fund dhe ta mbronte me prova, me fakte, me çfarë të donin ata. Ka Gjykatë Kushtetuese, por ka edhe Gjykatë Europiane, sepse ne jemi një vend europian dhe padyshim që ajo është mbi gjykatat kombëtare. Kështu që unë nuk kam asnjë shqetësim.

SHKARKO APP