Presidenti Meta-Kryeministrisë: Sa bashki janë pa kryetarë?
Pas përgjigjes së KQZ-së që njeh vetëm 3 nga 6 bashki që janë pa kryetarë, Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër Kryeministrisë ku kërkon informacion për bashkitë që janë pa kryetarë.
Sipas KQZ-së pa kryetar janë vetëm tre bashki: Vora, Dibra dhe Shkodra dhe jo gjashtë siç është thënë nga Presidenti. KQZ-ja thotë se nuk kanë asnjë informacion për Lushnjen, Rrogozhinën dhe Durrësin.
Në letrën e Kreut të Shtetit drejtuar Kryeministrisë, thuhet se ”për raste të tjera të vakancave të krijuara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk është vënë në dijeni dhe brenda kompetencave të veta ju vë në dispozicion informacionin e saktë vetëm për sa është në fushën e vet të përgjegjësisë ligjore”.
Dy kërkesat që Presidenti kërkon informacion janë:
1-Kush janë saktësisht ato njësi të qeverisjes vendore-bashki, (përpos informacionit të sjellë nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve) në të cilat përgjatë kësaj periudhe 30 qershor 2019-janar 2022, sipas informacionit, vlerësimit dhe vendimmarrjes së Këshillit të Ministrave, kryetarëve të Bashkive u ka përfunduar mandati në mënyrë të parakohshme.
2-Cili është shkaku ligjor dhe akti përmes të cilit është realizuar përfundimi i parakohshëm i mandatit dhe për plotësimin e të cilit është i nevojshëm organizimi i zgjedhjeve të pjesshme për kryetarin e bashkisë, në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.