Presidenti Meta liron nga detyra ambasadorin e Shqipërisë në Turqi
Presidenti Ilir Meta, ka dekretuar lirimin nga detyra të Gent Gazhelit, ambasador i Shqipërisë në Republikën e Turqisë. Në dekretin e Presidentit, thuhet se lirimi i tij nga detyra ka ardhur me propozim të kryeministrit Edi Rama. Gjithashtu, Meta ka dekretuar emërimin në detyrë të ambasadorit të Shqipërisë në Turqi, Kastriot Robo.
”Zoti Genti Gazheli, ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Turqisë, rezident, si dhe ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Azerbajxhanit, në Republikën e Kirgistanit, në Republikën Islamike të Pakistanit dhe në Republikën e Gjeorgjisë, jorezident, lirohet nga kjo detyrë”,-thuhet në dekretin e Kreut të Shtetit.
Largimi nga detyra si ambasador i Gent Gazhelit është përfolur pak ditë më parë, pasi lidhet me rastin e vogëlushit shqiptar, Alvin Berisha, që u shpëtua nga kampi i ferrit “Al Hol” në Siri falë ndërhyrjes së gazetarëve italianë të “Le Iene”.
D E K R E T
PËR LIRIM AMBASADORI NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 92, shkronja “dh”, nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 26, të ligjit nr. 23/2015 “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozim të Kryeministrit,
D e k r e t o j:
Neni 1
Zoti Genti Gazheli, ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Turqisë, rezident, si dhe ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Azerbajxhanit, në Republikën e Kirgistanit, në Republikën Islamike të Pakistanit dhe në Republikën e Gjeorgjisë, jorezident, lirohet nga kjo detyrë.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Nr. Dekretit 11356
Tiranë, më 19.11.2019
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META
https://www.kohajone.com/2019/11/19/dekretohet-ambasadori-i-ri-ne-turqi-kastriot-robo/