Presidenti Meta me kryebashkiakun e Palermos: Kultura dhe ritet arbëreshe të bëhen pjesë e UNESCO-s
Presidenti Ilir Meta gjatë vizitës zyrtare në Rajonin e Siçilisë, kërkoi nga Kryetari i Bashkisë së Palermos të mbështesë projektin që Sicilia të bëhet Rajoni i parë në Itali, që mund të miratojë një ligj të posaçëm për mbrojtjen mbrojtjen e pakicave linguistike krahinore, me qëllim mbrojtjen e gjuhës arbëreshe.
Në këtë takim, Presidenti Meta vuri në dukje se marrëdhëniet tradicionale të shkëlqyera mes dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Italisë, meritojnë të thellohen më tej, në të gjitha fushat.
Kreu i Shtetit shqiptar theksoi domosdoshmërinë e një bashkëpunimi më të ngushtë mes autoriteteve shtetërore shqiptare dhe italiane, me qëllim që kultura e pasur dhe ritet e komunitetit arbëresh të bëhen pjesë e UNESCO-s, duke kërkuar mbështetje në këtë drejtim edhe nga Bashkia e Palermos.
“Falë statusit të veçantë të autonomisë sipas Kushtetutës italiane, Siçilia mund të jetë Rajoni i parë që mund të miratojë një ligj të posaçëm për mbrojtjen e pakicave linguistike krahinore.
Komuniteti Arbëresh, të cilit Shqipëria dhe shqiptarët i detyrohen për hedhjen e themeleve të Lëvizjes Kombëtare, është projektimi ynë i përbashkët, i shkëlqyer, në Europën e Bashkuar.
Shqipëria dhe institucionet tona përkatëse kanë mbështetur dhe po punojnë, së bashku me ato italiane, duke u mbështetur në punën studimore akademike të katedrave të gjuhës dhe kulturës shqipe të Palermos dhe Cosenza-s, që ‘Moti i Madh’ arbëresh, ritet e ringjalljes, të pranverës së Pashkëve, të fillimit të jetës, të bëhen pjesë e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s.” – u shpreh ndër të tjera gjatë këtij takimi Presidenti Meta.