Presidenti Meta merr pjesë në Panairin e Artizanatit në Shkodër dhe dekoron inxhinierin e shquar, Zef Gjinin
Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë sot në çeljen e Panairit të Artizanatit në Shkodër, që zhvillohet për të tetin vit radhazi. I shoqëruar nga kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, autoritetet vendore dhe qytetarë të shumtë, Kreu i Shtetit vizitoi stendat dhe u takua me prodhuesit artizanë dhe zejtarë, të cilët i inkurajoi për ruajtjen dhe promovimin e këtyre vlerave të trashëgimisë tonë kulturore, tepër të rëndësishme për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë kombëtare.
Përmes një postimi në facebook, kreu i shtetit shprehet se ”I lumtur të rikthehem në Shkodër, djepin e kulturës dhe traditave, për të marrë pjesë në Panairin e Artizanatit, që synon promovimin e kësaj dege shumë të rëndësishme të kulturës, turizmit dhe ekonomisë kombëtare. Shkodra udhëheq vendin me shembullin e saj në ruajtjen dhe zhvillimin e traditave dhe trashëgimisë sonë së shkëlqyer kulturore. Inkurajoj artizanët dhe zejtarët duarartë të mbajnë gjallë këtë traditë shekullore dhe unike të vendit tonë. Për këtë qëllim nevojiten politika proaktive më efikase mbështetëse në nivel kombëtar”.
Me anë të një ceremonie solemne të organizuar në sheshin para Bashkisë së Shkodrës, Presidenti Meta vlerësoi Kryetarin e Shoqatës së Artizanëve dhe Zejtarëve të Shqipërisë, inxhinierin e shquar Zef Gjini, me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin “Me mirënjohje dhe në vlerësim të kontributeve të shquara në fushën e artizanatit, zejtarisë dhe trashëgimisë kulturore; si dhe për përpjekjet e pareshtura në fushën e inovacionit në shërbim të vlerave tradicionale”.
Fjala e plotë e Presidentit Meta
“Jam shumë i lumtur të jem sot në Shkodër, në djepin e kulturës dhe traditave, për të marrë pjesë në Panairin e 8-të radhazi të Artizanatit, që zhvillohet pikërisht në qytetin që ruan ende lidershipin në këtë degë të rëndësishme dhe udhëheq vendin për ruajtjen dhe promovimin e vlerave kulturore e traditave më të mira qytetare dhe kombëtare.
Është mbresëlënës fakti se edhe pse kushtet e këtij viti janë të vështira për shkak të pandemisë COVID-19, përsëri ky aktivitet po zhvillohet me gjithë rëndësinë që i takon dhe për këtë dua të përgëzoj Kryetaren e Bashkisë, znj.Voltana Ademi dhe Bashkinë e Shkodrës. Është koha për të reflektuar sa shumë nevojë ka për politika më proaktive mbështetëse të artizanatit në nivel kombëtar, pasi dihet që ky profesion është i vështirë sepse kërkon një mjeshtëri të rrallë, ka nevojë për edukim, investim dhe durim. Dua të falenderoj në veçanti inxhinierin e shquar, z.Zef Gjinin për rolin e tij të jashtëzakonshëm, jo vetëm në Shkodër por në mbarë vendin, për t’i ruajtur dhe për t’i zhvilluar këto tradita. Kjo është arsyeja që jam i nderuar dhe i privilegjuar të jem sot këtu së bashku me ju për ta vlerësuar me Titullin e lartë dhe të merituar prej kohësh ‘Mjeshtër i Madh’.
Inxhinier Gjini ka një eksperiencë mbi 45-vjeçare në fushën e punimit të drurit dhe njihet si një nga mjeshtrat më të mëdhenj të gdhëndjes. Jeta e tij ka qenë e lidhur pazgjidhshmërisht me dashurinë për drurin, dhe jo rastësisht është quajtur: Njeriu që e bën drurin të flasë. Pasioni, puna dhe eksperienca si inxhinier e kryeinxhinier në Ndërmarrjen Artistike të Shkodrës, në udhëheqje të punës së më shumë se 2000 artizanëve, e bëri të kuptojë që druri ishte dhe mbetej dashuria e tij. Ndaj edhe pas vendosjes së demokracisë, ai e vazhdoi këtë rrugë. Shkodra njihej si kryeqendra e krijimtarisë së artizanatit, falë edhe punës së tij të përkushtuar. Edhe ai njihej si një mjeshtër në përpunimin e drurit, sot edhe si një lider i ruajtjes së këtyre traditave në mbarë vendin.
Çdo objekt i gdhendur është unik prej tij, sepse inxhinier Gjini dhe artizanët shkodranë, që punojnë me të, e gdhendin çdo gjë me dorë por në rradhë të parë me zemër dhe dashuri. Jam i bindur, se të gjithë ne, që e kemi provuar emocionin që të jep një objekt i gdhendur mjështërisht me dorë, e dimë se sa durim kërkon për t’u realizuar, sa pasion por mbi të gjitha se sa dashuri. Inxhinier Gjini eksperiencën e tij në fushën e artizanatit e vuri në shërbim të Shoqatës së Artizanëve dhe Zejtarëve të Shqipërisë, të cilën e drejton prej gati 8 vitesh me shumë përgjegjësi.
Kjo shoqatë, përmes panaireve, seminareve, trainimeve, bashkëpunimeve e partneriteteve me vendet e rajonit është bërë një pikë e rëndësishme referimi për të gjithë artizanët e vendit dhe që, brenda saj, ka një larmishmëri anëtarësh dhe zejesh. Ndihem i lumtur kur shikoj që Shoqata e Artizanëve dhe Zejtarëve të Shqipërisë, nën drejtimin e inxhinier Gjinit, ka si mision të saj nxjerrjen në pah të traditave shekullore dhe veçantinë e artizanatit shqiptar, e atij shkodran në veçanti.
Vetëm duke ju transmetuar të rinjve dijet dhe eksperiencën në fushën e artizantit dhe zejtarisë, do të mund të mbajmë gjallë një traditë shekullore dhe unike të vendit tonë. Vetëm kështu do të jemi të sigurtë që tradita jonë mijëravjeçare do t’u mbijetojë edhe shekujve që do të vijnë më pas.