Presidenti Meta nderon filantropin Selim Mborja

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka nderuar filantropin dhe dhuruesin e madh nga Korça, Selim Mborja. Kreu i shtetit thotë se e vlerëson atë me titullin “Për Merita të Veçanta Civile”. Presidenti gjthashtu ka bërë me dije se Mborja ka qenë dhuruesi i tokës, ku është ndërtuar Spitali i Korçës, i terreneve për ndërtimin e impianteve sportive dhe themelues i “Club Tenis Korça”, mbështetës kryesor i grupeve muzikore, artistike dhe gazetareske, ndërtues i godinës së Prefekturës dhe investitor i truallit ku u ndërtua “Birra Korça”.

Postimi i plotë

Në Korçën që aq shumë e deshi dhe ku aq shumë kontribuoi për zhvillimin dhe modernizimin e saj, pata sot kënaqësinë të vlerësoja me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” një prej bamirësve më të mëdhenj të kohës në të cilën jetoi, të paharruarin Selim Mborja.

Filantrop dhe atdhetar i spikatur, emri i tij është i lidhur ngushtësisht me emblemat dhe krenaritë e “Parisit të vogël”, ku spikati me veprimtarinë humanitare në periudhën 1920 – 1943.

Dhurues i tokës ku u ndërtua Spitali i Korçës, ndërtues i të parit central elektrik në vitin 1925, kontributor për furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit, donator i terreneve për ndërtimin e impianteve sportive dhe themelues i “Club Tenis Korça”, mbështetës kryesor i grupeve muzikore, artistike dhe gazetareske, ndërtues i godinës së Prefekturës dhe investitor i truallit ku u ndërtua “Birra Korça”, emri i tij gjendet gjithashtu në Federatën ‘Vatra e Shqipërisë’, tek ‘Kryqi i Kuq’, tek komisioni për mbledhjen e ndihmave për ngritjen e Liceut të Korçës, tek botimi i gazetës ‘Jetë e Re’ dhe në shumë aspekte të tjera.

Mirënjohje për gjithçka i fali dhe i la trashëgim Korçës!

SHKARKO APP