Presidenti Meta nderon heronjtë e Luftës së Vlorës: Gjaku i dëshmorëve të rënë për lirinë e Shqipërisë nuk do të harrohet kurrë!
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte sot i pranishëm së bashku me krerët më të lartë të shtetit, si dhe autoritetet vendore, në ceremoninë solemne të nderimit dhe përkujtimit të luftëtarëve atdhetarë, të cilët luftuan dhe u sakrifikuan në Luftën kombëtare të Vlorës 1920.
Presidenti Meta vendosi një kurorë me lule para memorialit historik të “Luftës Kombëtare të Vlorës 1920”, duke u përulur me respekt dhe nderim ndaj veprës heroike, sakrificave sublime dhe kujtimit frymëzues të atdhetarëve, të cilët shkruan epopenë e lavdishme të çlirimit të Vlorës dhe të Shqipërisë.
“Sot, në memorialin historik të “Luftës Kombëtare të Vlorës 1920” në Qafën e Koçiut, u përula me respekt dhe nderim para veprës heroike, sakrificave sublime dhe kujtimit frymëzues të atdhetarëve, të cilët shkruan epopenë e lavdishme të çlirimit të Vlorës dhe Shqipërisë 100 vjet më parë.
Gjaku i Heronjve dhe Dëshmorëve të rënë për LIRINË dhe PAVARËSINË e SHQIPËRISË nuk do të harrohet kurrë! 🇦🇱”,- shkruan kreu i shtetit në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale.