Presidenti Meta përshëndet 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Norvegjisë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mikpriti sot së bashku me Ambasadorin e Mbretërisë së Norvegjisë, Jens Erik Grøndahl, përfaqësues të Qeverisë e të Kuvendit, drejtues të komuniteteve fetare, ambasadorë dhe diplomatë të akredituar në Tiranë, përfaqësues të institucioneve kushtetuese, të sipërmarrjes dhe medias me rastin e Ditës e Kushtetutës së Mbretërisë së Norvegjisë, si dhe të 50-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Norvegjisë dhe Shqipërisë.

Në përshëndetjen e Tij, Kreu i Shtetit shqiptar vuri në dukje se marrëdhëniet mes dy popujve do të përparojnë edhe më tej.

“Angazhimi strategjik i Mbretërisë së Norvegjisë në rajonin tonë dhe ndjenjat e ndërsjella miqësore janë trualli mbi të cilin janë hedhur themelet e një marrëdhënieje gjithmonë e më të qëndrueshme mirëbesimi dhe partneriteti.  Qeveria norvegjeze ka treguar seriozitet dhe angazhim mbresëlënës në të gjitha programet zhvillimore dhe ndihmuese për Shqipërinë. Po ashtu, investimi më i madh i huaj i regjistruar në Shqipëri, në një sektor strategjik si energjia, përmes kompanisë ‘Statkraft’ me vlerë rreth 600 milion euro, është një shembull i shkëlqyer i vullnetit të përbashkët politik për zhvillimin e marrëdhënieve gjithnjë e më përmbajtësore ndërmjet dy vendeve tona”,– tha kreu i shtetit gjatë fjalës së tij.

SHKARKO APP