Presidenti Meta pret drejtuesit e Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes: Ballkani të ecë drejt Perëndimit
Në Presidencë u pritën nga Ilir Meta drejtuesit dhe pjesëmarrësit e Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes që ishin nga Shqipëria dhe vende të tjera anëtare të NATO-s. Përmes një postimi në facebook, Meta thekson se Ballkani Perëndimor duhet të ecë i fokusuar drejt Perëndmit. “Theksova nevojën e përmbushjes së të gjitha detyrimeve të Shqipërisë si anëtare e NATO-s, duke evidentuar dhe kontributin tonë në misionet dhe operacionet e përbashkëta”.
Postimi i plotë
Vërtet kënaqësi të takoja drejtuesit dhe pjesëmarrësit e Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, nga Shqipëria dhe vende të tjera anëtare të NATO-s.
Zhvilluam një bisedë të hapur lidhur me sfidat e sigurisë dhe rëndësinë që ka Aleanca në funksion të garantimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe botë.
Theksova nevojën e përmbushjes së të gjitha detyrimeve të Shqipërisë si anëtare e NATO-s, duke evidentuar dhe kontributin tonë në misionet dhe operacionet e përbashkëta.
Duhet të bashkojmë të gjitha përpjekjet tona strategjike për ta mbajtur Ballkanin Perëndimor një hapësirë të orientuar drejt Perëndimit, që jeton në paqe dhe ndan vlerat e përbashkëta të Aleancës së Atlantikut të Veriut.