Presidenti Meta pret ministrin e Jashtëm, Luigi Di Maio: Italia, partner kryesor i Shqipërisë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës Italiane, Luigi Di Maio.

Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën e menjëhershme të dhënë nga Italia në operacionet e kërkim shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe kontributin për përballimin e pasojave veçanërisht për rindërtimin e zonave të prekura dhe rehabilitimin e tyre.

Presidenti Meta falënderoi për dërgimin në Shqipëri të specialistëve italianë në përballimin e situatës së COVID-19 dhe vlerësoi dërgimin e infermierëve shqiptarë në Itali në situatën e saj më të rëndë të pandemisë.

Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë ndër vite në proceset e integrimit euro-atlantik.

“Ne vlerësojmë rolin proaktiv të Italisë në mbështetjen e perspektivës europiane të Shqipërisë dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm për të përmirësuar integrimin e vendit tonë dhe Ballkanit Perëndimor në tërësi në Bashkimin Europian”, – nënvizoi Presidenti Meta, duke shtuar se “Shqipëria ka përpara saj përmbushje të domosdoshme të kushteve të funksionimit të shtetit demokratik: zgjedhje të lira dhe të ndershme, funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, liria e medias, etj.”

Kreu i Shtetit duke vlerësuar faktin se Italia mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë, kërkoi një prani më të madhe të investitorëve seriozë italianë në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare.

“Urë e fuqishme bashkëpunimi ndërmjet vendeve tona, – tha Presidenti Meta, “janë edhe komuniteti arbëresh dhe emigracioni shqiptar në Itali. Ndaj inkurajoj rritjen bashkërisht të përpjekjeve për mbajtjen gjallë të gjuhës, kulturës e traditave të pasura shqiptare në vendin fqinj.”

SHKARKO APP