Presidenti Meta pret ministrin e Jashtëm Osmani: I rëndësishëm roli i faktorit shqiptar në institucionet e Maqedonisë së Veriut
Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Presidenti Meta vlerësoi rëndësinë e marrëdhënieve shumë të mira të fqinjësisë mes dy vendeve, si në nivelin dypalësh ashtu edhe rajonal.
Kryetari i Shtetit vuri theksin në rritjen e mëtejshëm të bashkëpunimin ekonomik e tregtar, shkëmbimin e përvojës në fushën e nxitjes së investimeve të huaja të drejtpërdrejta dhe pjesëmarrjes në projekteve dypalëshe e rajonale në dobi, veçanërisht, të qytetarëve të zonave ndërkufitare.
“Pjesëmarrja dhe roli aktiv i faktorit shqiptar në institucionet e Maqedonisë së Veriut, është provë e qëndrimit të tyre të palëkundur në mbështetje të projektit euroatlantik dhe të reformave të rëndësishme për ndërtimin e shtetit multi-etnik të Maqedonisë së Veriut”, tha fillimisht Presidenti Meta.
Kryetari i Shtetit më tej shprehu bindjen se zbatimi i reformave, respektimi i agjendës europiane dhe zhvillimet demokratike të Maqedonisë së Veriut do t’i mundësojnë kapërcimin e pengesave në procesin e integrimit të saj europian.
Presidenti nënvizoi se si dy vende fqinje, aleate në NATO dhe me vizione të përbashkëta euroatlantike, do të duhet të forcojnë edhe më shumë marrëdhëniet në dobi të paqes, stabilitetit e zhvillimit të rajonit.