Presidenti Meta pret ministrin e Jashtëm të Hungarisë: Të rritet bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve
Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Hungarisë, Péter Szijjártó, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira mes dy vendeve dhe dy popujve tanë, duke vënë theksin në rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik e tregtar dhe të investimeve shumë të mirëpritura hungareze në Shqipëri.
Presidenti Meta e falënderoi Ministrin Szijjártó, për qëndrimin mbështetës të Hungarisë për proceset e integrimit evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në tërësi, si dhe për ndihmën dhe mbështetjen e vendit të tij në kuadrin e V4 dhe V4-WB6.
Gjithashtu, Kreu i Shtetit shprehu falenderimet për mbështetjen e vyer të Hungarisë në rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti në nëntor të vitit 2019, si dhe për ndihmën në përballimin e pandemisë COVID-19.