Presidenti Meta pret në takim ambasadoren e re të Polonisë

Presidenti i Republikës Ilir Meta priti sot në takim Ambasadoren e re të Republikës së Polonisë në Tiranë, Sh.S.Znj. Monika Zuchniak-Pazdan, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Presidenti Meta e uroi Ambasadoren e re për detyrën dhe e siguroi për mbështetjen e tij në përmbushjen me sukses të misionit të saj diplomatik në Shqipëri.

Kreu i Shtetit shprehu besimin se përvoja diplomatike e Ambasadores do të shërbejë që marrëdhëniet shumë të mira politike mes dy vendeve e popujve tanë të njohin zhvillime të reja edhe në fushat ekonomike e tregtare, në turizëm, arsim e kulturë.

Kreu i Shtetit vlerësoi rritjen e interesit të turistëve polakë për turizmin e Shqipërisë dhe për të vizituar vendin tonë duke nënvizuar njëkohësisht dëshirën për ta kthyer turizmin shqiptar dhe Shqipërinë në destinacion jo vetëm turistik por edhe mundësi investimi për sipërmarrësit polakë.
Presidenti Meta e falënderoi Ambasadoren e re të Polonisë për mbështetjen e vendit të saj ndaj procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe për ndihmën e Polonisë veçanërisht në kuadrin e V4 dhe V4-ËB6;

Kreu i Shtetit shprehu veçanërisht falenderime për mbështetjen e Qeverisë së Polonisë për ndihmën e dhënë Shqipërisë në adresimin e pasojave të tërmetit të nëntorit të vitit 2019, si dhe për përballimin e pandemisë COVID-19.

Presidenti Meta i kërkoi Ambasadores Zuchniak-Pazdan t’i përcjellë Presidentit të Polonisë Andrzej Duda përshëndetjet e tij më të ngrohta dhe miqësore.

SHKARKO APP