Presidenti Meta: Procesi i Berlinit ka si pjesë të tij BE-në, kurse ”Open Balkan” proces që copëton
Presidenti Ilir Meta vijon të mos e pranojë nismën rajonale ”Open Balkan”. I pranishëm në sesionin e Forumit IX Global të Bakusë me temë “Për një Europë në ndryshim dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor”, kreu i shtetit thekson përmes një postimi në facebook, se gjatë fjalës së tij është shprehur pse është me rëndësi Procesi i Berlinit, ku ka thënë se ka si pjesë të tij BE-në, kurse ”Open Balkan” nuk e ka. ”Procesi i Berlinit ka instrumente financiare për të mbështetur projektet e lidhjes. Ballkani i Hapur jo! Procesi i Berlinit fuqizon procesin e zgjerimit, duke i përshtatur reformat e kërkuara me shpërblimet financiare”,-shrkuan Meta.
Postimi i plotë nga Presidenti Ilir Meta
I nderuar t’i adresohesha sot sesionit të Forumit IX Global të Bakusë “Për një Europë në ndryshim dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor”, ku vlerësova mekanizmin e Procesit të Berlinit si katalizatorin kryesor të integrimit në BE të rajonit tonë.
Ne duhet të përqendrohemi në zbatimin pa vonesë të Procesit të Berlinit, të mos shpërqendrohemi dhe të mos ngatërrohemi nga qasjet alternative paralele, jo gjithëpërfshirëse.
Pse Procesin e Berlinit? Sepse Procesi i Berlinit mbështet krijimin e një tregu të përbashkët rajonal të bazuar në katër liri. Të 6 vendet janë pjesë dhe e mbështesin plotësisht këtë proces. Vetëm disa liderë mbështesin alternativën e Ballkanit të Hapur!
Procesi i Berlinit ka si pjesë të tij BE-në. Ballkani i Hapur jo!
Procesi i Berlinit ka instrumente financiare për të mbështetur projektet e lidhjes. Ballkani i Hapur jo! Procesi i Berlinit fuqizon procesin e zgjerimit, duke i përshtatur reformat e kërkuara me shpërblimet financiare.
Ballkani i Hapur paraqitet si një alternativë ndaj anëtarësimit në BE, duke e tjetërsuar rajonin si një komunitet politik hibrid. Procesi i Berlinit përmban 6 vendet e Ballkanit Perëndimor në tryezën politike të Bashkimit Europian.
Çdo proces që ka BE-në brenda saj përfaqëson vullnetin e vendeve tona. Çdo proces që copëton BE-në përfaqëson frikën politike të liderëve autokratikë për humbjen e pushtetit të tyre!