Presidenti Meta: Sot jemi në një betejë për standarde europiane të zgjedhjeve të lira

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e përkujtimit të 100-vjetorit të Luftës së Koplikut dhe vlerësimin e  77 Dëshmorëve të Atdheut që kanë dhënë jetën në këtë betejë.

Në një postim në Facebook, Kreu i Shtetit shkruan se “nderimi më i madh që mund t’u bëjmë Heronjve dhe Dëshmorëve të Atdheut është të mbajmë lart aspiratën për një Shqipëri të lirë dhe demokratike, të dashur për të jetuar dhe ku fëmijët e të rinjtë të ndërtojnë të sigurtë të ardhme europiane në këto troje, ku është derdhur aq shumë gjak e janë kryer aq shumë sakrifica nga të parët tanë”.

Më tej, Presidenti shton se “sot jemi në një betejë për standarde europiane zgjedhjesh të lira, për liri mendimi e shprehje dhe për një ekonomi konkurruese e më përfshirëse që garanton mirëqenien e të gjithë shqiptarëve.

Postimi i plotë i Presidentit Ilir Meta në Facebook:

Vetëm demokracia dhe sovraniteti i popullit janë garancia për mbrojtjen e përhershme të sovranitetit të Atdheut dhe të interesave kombëtare.

Në kuadër të vlerësimit të 100-vjetorit të Luftës së paharruar dhe të lavdishme të Koplikut, pata sot nderin të çmoj Ushtarakun e madh Lucë Nish Dedvukaj, Kryetrimin Zef Prel Martini, Dëshmorin e Kombit Selman Bajram Ramçaj si dhe Komandantin e forcave vullnetare të Malësisë së Madhe, kapedanin Deli Meta.

Falënderoj studiuesit e historianët e kësaj lufte për ndihmën në përzgjedhjen e tyre, si dhe i ftoj në bashkëpunime të mëtejshme për ndriçimin e historisë dhe figurave të tjera të shquara të kombit tonë!

Nderimi më i madh që mund t’u bëjmë Heronjve dhe Dëshmorëve të Atdheut është të mbajmë lart aspiratën për një Shqipëri të lirë dhe demokratike, të dashur për të jetuar dhe ku fëmijët e të rinjtë të ndërtojnë të sigurtë të ardhme europiane në këto troje, ku është derdhur aq shumë gjak e janë kryer aq shumë sakrifica nga të parët tanë.

Të mos lejojmë të shtypemi nga padrejtësia shoqërore, apo të vuajmë nga varfëria e pamerituar, nga dhuna shtetërore apo dhe nga papërgjegjshmëria e individëve që abuzojnë me pushtetin.

Sot jemi në një betejë për standarde europiane zgjedhjesh të lira, për liri mendimi e shprehje dhe për një ekonomi konkurruese e më përfshirëse që garanton mirëqenien e të gjithë shqiptarëve.

Vetëm demokracia dhe sovraniteti i popullit janë garancia për mbrojtjen e përhershme të sovranitetit të Atdheut dhe të interesave kombëtare.

Le të jetë shembulli i qëndresës së Kryengritjes së Koplikut një burim frymëzimi për shoqërinë e sotme e sidomos për të rinjtë për t’u përballur me sfidat e kohës.

Të punojmë së bashku që të rrëzojmë çdo pengesë për të ardhmen europiane të Shqipërisë! 🇦🇱🇪🇺

SHKARKO APP