Presidenti Meta takim me Papas Antonio Belusci: Shembull frymëzues i ruajtës se trashëgimisë kulturore arbëreshe
Presidenti i Republikës, Ilir Meta gjatë vizitës së tij në Itali, është ndalur në bashkinë Frascineto ku edhe është takuar me udhëheqësin e komunitetit arbëresh në Kalabri, Papas Antonio Belusci.
Në një reagim në Facebook, Meta shprehet Belusci prej vitesh është angazhuar në hulumtimin e kulturës shqiptare duke ngritur një qendër të albanologjisë.
Statusi:
Gjatë vizitës në Bashkinë e Frascineto nuk mund të mos takoja Papas Antonio Belusci, një nga udhëheqësit më të ndritur fetarë të komunitetit arbëresh në Kalabri, albanolog dhe studiues i shquar.
I angazhuar prej vitesh në hulumtimin e thelluar të kulturës shqiptare, ai ka ngritur edhe një qendër të jashtëzakonshme të albanologjisë, që me të drejtë i paharruari Dritëro Agolli e ka konsideruar si “Tempull”.
I lumtur të shihja nga afër këtë “Tempull”, ku shpirti i arbrit lëviz i lirë, një simbol sesi përpjekjet individuale, plot idealizëm, patriotizëm dhe përkushtim, i shërbejnë kombit dhe kulturës, jo vetëm arbëreshe, por edhe shqiptare, italiane dhe europiane.
Në shembullin e tij frymëzues duhet të përpiqemi të bëjmë gjithçka për ta ruajtur të gjallë trashëgiminë e pasur kulturore arbëreshe, si dhe për të mbrojtur gjuhën arbëreshe, që meritojnë sa më parë të bëhen pjesë e UNESCO-s.
Duke promovuar këtë pasuri të jashtëzakonshme kombëtare, ne do të forcojmë identitetin tonë europian dhe t’u japim të rinjve arbëreshë dhe shqiptarë rrënjë të forta për t’u fiksuar në trevat tona, si një mundësi e shkëlqyer për zhvillim dhe ndalje të shpopullimit.