Presidenti Meta: Të mbrojmë trashëgiminë tonë kulturore
Kreu i shtetit, Ilir Meta ishte sot në Krujë, ku dekoroi një sërë artistësh dhe intelektualësh të njohur të këtij qyteti.
Në një mesazh në rrjetet sociale, kreu i shtetit shprehet se është detyrë e institucioneve dhe shoqërisë që të mbrojë trashëgiminë kulturore të vendit.
Mesazhi i kreut të shtetit në Facebook:
Në Krujën e shenjtë për çdo shqiptar, ku historia, tradita, vlerat kombëtare, patriotizmi dhe krenaria shpalosen pranë njëra-tjetrës dhe ku kështjella e pamposhtur e Gjergj Kastrioti Skënderbeut spikat si dëshmi e fortë e identitetit tonë kombëtar dhe europian, pata kënaqësinë të vlerësoj sot një buqetë të shquar personalitetesh të artit dhe të kulturës së kësaj treve.
Për kontributin e madh të dhënë për ruajtjen dhe përsosjen e këngës popullore dhe traditave krutane, çmova me Titullin “Mjeshtër i Madh”, grupin karakteristik “Pleqtë e Krujës”, që me talent e përkushtim u kanë transmetuar brezave trashëgiminë tonë të pasur kulturore e shpirtërore.
Vlerësova gjithashtu studiuesin e krijuesin e talentuar Mehmet Llubani, si dhe dy kontributorët e palodhur për nxitjen e turizmit në këtë trevë, Dragush Gega dhe Bujar Bardhi.
Është tepër e rëndësishme, që trashëgiminë tonë të pasur shekullore në çdo fushë, ta mbrojmë dhe ta promovojmë në shërbim të forcimit të identitetit tonë kombëtar, zhvillimit të qëndrueshëm të vendit dhe prosperitetit të qytetarëve tanë, për të qenë krenarë, që janë shqiptarë. 🇦🇱
https://arkiva.kohajone.com/presidenti-meta-ne-kruje-merrni-pjese-aktive-ne-zgjedhje-dhe-votoni-per-bijte-dhe-bijat-tuaj-me-te-mire/