Presidenti Meta: Të ndalim shpopullimin  e vendit, po emigron brezi i ri

Ilir Meta

-Ekspertët ngrënë alarmin për largimin masiv të qytetarëve nga vendi. Ish-deputeti i PS-së, Sherif Bundo: “T’i vrasësh rinisë shpresën është njësoj si ta dëbosh me forcë nga vendi”. Ish-drejtoresha e INSAT, Ines Nurja: “Shqipëria ka numrin më të madh të azilantëve, bile me shumë se Iraku dhe Siria”. Këshilltari i PNUD për reformat ekonomike, Sherefedin Shehu: “Keqqeverisja është arsyeja kryesore e shpopullimit të vendit”. 

Forumi i organizuar dje nga kreu i shtetit, Ilir Meta me ekspertë të ekonomisë dhe statistikave ka nxjerrë në pah të dhëna alarmante për emigrimin e shqiptarëve. Ish-drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja deklaroi në takimin online se për vitin 2019, Shqipëria zë vendin e parë, duke kaluar edhe Sirinë sa i përket kërkesave për azil ekonomik. Ajo tha se janë 85 persona që kërkojnë azil ekonomik në 10 mijë banorë. “Shqipëria zë vendin e parë, madje ka kaluar edhe Sirinë dhe Irakun për njerëzit që kërkojnë azil ekonomik. Pra janë 85 persona për 10 mijë banorë që kërkojnë azil ekonomik vetëm për 2019. Pra Shqipëria është vendi me numrin më të lartë të azilantëve për popullsi”, tha Nurja. Shifrat më alarmante lidhen me largimin e të rinjve dhe studentëve. Sipas ekspertes së statistikave, 94 % e studentëve dhe intelektualëve të vendit duan të largohen nga vendi. Ndërsa profesori i ekonomisë dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Sherif Bundo deklaroi se largimet masive të të rinjve lidhen kryesisht me mungesën e zhvillimit ekonomik. Sipas ekspertit Bundo shumica e familjeve në nevojë në Shqipëri jetojnë me paga 100-150 euro në muaj, shifra që tregojnë se janë në kufijtë e varfërisë dhe e rendisin Shqipërinë në vendet e fundit në rajonin e Ballkanit. Ndërkohë Këshilltari i PNUD në Shqipëri, Sherefedin Shehu vlerësoi se arsyet e emigrimit lidhen me mungesën e reformave ekomomike dhe mos zbatimin e ligjit. Shehu prezantoi të dhëna nga institucionet ndërkombëtare që tregojnë se bizneset e huaja nuk e shohin vendin tonë si mundësi investimi dhe vlerësohet i fundit në rajon për zbatimin e ligjit. Ndërsa eksperti Zef Preçi deklaroi se gjatë vitit 2013-2017 u vu re fenomeni i kthimit të emigrantëve kryesorisht nga Greqia dhe Italia. Por sipas tij, për shkak të politikave të gabuar dhe mungesës së një strategjie nga ana e qeverisë, rreth 60 përqind e atyre që janë kthyer duan të ikin sërish, pasi nuk shohin asnjë mënyrë për të ndërtuar jetën e tyre në Shqipëri.

Të dhënat e ekspertëve të ekonomisë dhe statistikave tregojnë se ikja e shqiptarëve nuk është fenomen si në vendet e tjera të rajonit. Shqipëria ka numrin më të lartë të personave që duan të ikin nga vendi se çdo vend tjetër i Ballkanit. Krahasimi me Sirinë dhe Irakun, vende që janë në konflikte të armatosura dhe pa stabilitet, është dëshmia dështimit të qeverisjes aktuale. Presidenti Ilir Meta, e cilësoi në fjalën e tij ikjen e qytetarëve jo si emigrim, por si shpopullim që vë në rrezik sigurinë kombëtar.  Kreu i shtetit tha se është e papranueshme që 94% e studentëve nuk e shohin të ardhmen në Shqipëri dhe këto të dhëna janë një kambanë alarmi që duhet të zgjojnë gjithë shoqërinë. “Vendi ynë, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, nuk vuan një emigrim problematik në nivele të pranueshme, por po përjeton një erozion demografik, referuar stastikave bindëse.  Kjo situatë ka bëjë me kërcënimin e perspektivës sonë kombëtare. Fakti që kemi disa tregues që ecin në mënyrë negative, lidhet me fenomenin shqetësues të një mungese besimi në vend. E theksoj si më të rëndësishme për t’u ndalur është intesifikimi shqetësues i largimit të trurit, veçanërisht të 94% të studentëve që janë jashtë dhe nuk duan të kthehen në Shqipëri”,- deklaroi kreu i shtetit.

Presidenti Ilir Meta vlerësoi se ndryshimi i situatës dhe ndalimi i braktisjes së vendit nga rinia mund të ndodh vetëm me reforma dhe qeverisje që vë në qendër të zhvillimeve të rinjtë dhe interesat tyre. “Të ndalim shpopullimin, duke përmirësuar standardet e qeverisjes dhe rritur përfaqësimin e të rinjve në vendimmarrje. Rinia kërkon arsim e shërbime cilësore dhe vende të sigurta pune. Rinia meriton mundësi e shanse të reja, të dëgjohet dhe të jetë pjesë e vendimmarrjes. Të mbështesim rininë, për të ndalur shpopullimin!”,- deklaroi kreu i shtetit.

Shqetësimet e ngritura nga ekspertët për azilantët ekonomik, mungesën e perspektivës për të rinjtë, dështimin e shtetit ligjor dhe problemet e mos funksionimit të institucioneve, kërkojnë ndryshim rrënjësor të modelit qeverisë. Në këto tetë vite, eksperimentet e Rilindjes dhe dështimi i gjithë reformave prodhuan shpopullimin e vendit. Ndalimi i shpopullimit mund të nisë vetëm më largimin e keqqeverisjes.

SHKARKO APP