Presidenti Meta: Të prekurit nga Covid-19 kanë të drejtë kushtetuese të votojnë
Gjatë takimit online me përfaqësues të shoqërisë civile për zgjedhjet e 25 prillit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta e sheh ndryshe çështjen e votës për personat e prekur me Covid-19. Kreu i shtetit tha se vota është një e drejtë kushtetuese që duhet garantuar.
”Është e drejtë kushtetuese, e drejta e votës. Mënyrën sesi duhet ta zgjidhim, hajt ta zgjidhim. Aktet burokratike bëhen për të realizuar dhe zbatuar Kushtetutën e Shqipërisë”, u shpreh Meta. Kurse kryeministri Edi Rama në konferencën e fundit që pati me gazetarët e mohoi kategorikisht një gjë të tillë.
”Do bëjmë të njëjtën gjë si të gjithë vendet e tjera që për ata të cilët janë të testuar pozitiv dhe nuk janë negativizuar, nuk bëhet fjalë fare, duhet të qëndrojnë në shtëpi, duhet të vetëkarantinohen. Është e vërtetë ky shqetësim dhe kanë bërë të gjithë vendet e tjera kështu sepse ka pasur një sërë zgjedhjesh në këtë kohë pandemie dhe kështu është vepruar. Janë të parët njerëzit që duhet të marrin përgjegjësinë për këtë, por për fat të mirë nuk ka pasur të dhëna shqetësuese post elektorale mbi shëndetin e njerëzve, pra nuk ka pasur rritje të infektimeve”,- tha Rama.