Presidenti Meta u uron nga Berati besimtarëve ortodoksë Ditën e “Ujit të Bekuar”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi qytetin e Beratit me rastin e festës së shenjtë të Ditës së “Ujit të Bekuar”, ku u prit përzemërsisht nga drejtuesit fetarë të Mitropolisë së Beratit, si dhe dhjetëra qytetarë.

Kryetari i Shtetit, fillimisht mori pjesë në ceremoninë fetare të hedhjes së Kryqit në ujrat e lumit Osum dhe më pas vizitoi Kishën Ortodokse të “Shën Spiridhonit”, ku ndau urimet e përzemërta me besimtarët beratas.

Në një prononcim për mediat, Presidenti Meta shprehu kënaqësinë e veçantë që ndodhej në Berat për të kremtuar së bashku me komunitetin lokal Ditën e ‘Ujit të Bekuar’.

Është kënaqësi e veçantë të zgjidhja sot qytetin e Beratit, këtë qendër mijëravjeçare të qytetërimit tonë, për të festuar dhe uruar, ditën e Ujit të Bekuar.

Hedhja e Kryqit në ujë, dhe pikërisht në lumin e Osumit, është në vetvete një bekim, që simbolizon edhe fuqinë e Zotit mbi njerëzit.

Le të na ndriçojë kjo Ditë e Shenjtë dhe të na forcojë besimin në Zot, për të përballuar së bashku këto sfida të vështira, me të cilat ndeshemi, si pandemia COVID-19 dhe për të fituar të gjitha sfidat e këtij viti.

Është një rast i shkëlqyer për t’ju uruar: Gëzuar dhe mbarësi për vitin 2021 të gjithë qytetarëve të Beratit dhe Shqipërisë! Zoti i bekoftë shqiptarët kudo ndodhen!”, – u shpreh President Meta.

 

SHKARKO APP