Presidenti Meta vizitë në komunën arbëreshe: I rëndësishëm binjakëzimi i bashkive arbëreshe me ato shqiptare

Presidenti i Republikës, Ilir Meta gjatë vizitës së tij zyrtare në Siçili, mori pjesë në festimet që u mbajtën në komunën arbëreshe “Anime Sante del Purgatorio” në Bashkinë e Mezzojuso, me rastin e përkujtimit të ngulimit të parë arbëresh në Itali.

Fillimisht kreu i shtetit u mirëprit dhe nga qindra arbëreshë në sheshin kryesor të qytetit, për të vijuar më pas takimet e veçanta me autoritetet më larta lokale dhe Zëvendësprefekten, zonjën Rosa Inzerilli.

“Fatkeqësisht pesha e kohës ka ndikuar në zbehjen e shumë prej zakoneve dhe aspekteve të tjera të identitetit të Arbërisë, por trashëgimia e vyer historike dhe kulturore në tërësinë e saj vijon të mbetet një vlerë e çmuar për të dy vendet tona. Identiteti etnik shqiptar shpaloset ende në diversitetin liturgjik dhe historia e arbëreshëve të parë ka lënë shenja të prekshme në monumentet dhe veprat e artit që zbukurojnë qendrën, si edhe në ngjarjet tradicionale fetare”,– u shpreh Presidenti i Republikës.

Më tej Meta shprehu shqetësimin se “Fenomeni i shpopullimit mbetet një sfidë për ditët e sotme ndaj autoritetet e të dyja vendeve tona duhet të përkushtohen më shumë për t’i krijuar kushte brezit të ri, dhe për bashkësitë arbëreshe të mësohet gjuha shqipe që të mos humbasë gjuha dhe shuhet identiteti.

“Duhet një bashkëpunim përmes binjakëzimit me qytete shqiptare, shkëmbime në fushën kulturore dhe historike, me shkollat e restaurimit të ikonave në linjën e formimit profesional për të orientuar rininë. Nevojitet një përkushtim i madh për të arritur regjistrimin e trashëgimisë arbëreshe në UNESCO si dhe një promovim e vëmendje e jashtëzakonshme ndaj kësaj pasurie të çmuar të trashëgimisë europiane dhe asaj botërore”, tha më tej Meta.

SHKARKO APP