Presidenti Meta vlerëson dy heronj të Luftës Çlirimtare të Kosovës

Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi (pas vdekjes) dy veprimtarë të shquar dhe heronj të Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, Presidenti Meta dekoroi veprimtarin dhe atdhetarin Avdi Kelmendi (pas vdekjes) “Në vlerësim të rolit të patjetërsueshme dhe atdhetar si një nga organizatorët dhe prijësit e demonstratave të vitit 1968-të në Kosovë. Me mirënjohje për kontributet e veçanta e të vyera në fushën e arsimit dhe të edukimit të brezave të rinj.”

Ndërsa me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Presidenti i Republikës vlerësoi njërin prej komandantëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorin Rrustem Bruçi (pas vdekjes): “Me nderim dhe respekt të lartë për kontributet e tij si ushtarak me përgatitje të lartë profesionale, duke u shquar si një nga komandantët e ndritur të Luftës Çlirimtare të Kosovës, dhe si udhëheqës dhe fitimtar i Betejës së lavdishme të Loxhës, ku bëri edhe sakrificën më sublime duke dhënë jetën si Dëshmor i Atdheut.”

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh:

Është kënaqësi e veçantë, që sot, në Institucionin e Presidentit të Republikës të jemi së bashku për të vlerësuar dy personalitete të shquara të Kosovës.

Historia e djeshme dhe e sotme e Kosovës i bën nder, jo vetëm Kosovës, por të gjithë kombit tonë.

Sakrificat e shqiptarëve për mbrojtjen e gjuhës shqipe, flamurit kombëtar, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, janë të mëdha dhe të panumërta.

Në mbrojtje të këtyre vlerave, shqiptarët e Kosovës e treguan veten në periudha të ndryshme kohore të historisë, duke bërë edhe sakrificat më sublime të bijve dhe bijave më të mira të kombit tonë.

Jemi mbledhur për të nderuar dhe vlerësuar dy përfaqësues të dy periudhave të ndryshme kohore të veprimtarisë patriotike dhe atdhedashëse në Kosovë.

Por, që të dy kishin një qëllim dhe dëshirë të përbashkët: Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës dhe lartësimin e kombit tonë.

Sot ne nderojmë dhe vlerësojmë Profesor Avdi Kelmendin, një nga organizatorët e demonstratave të vitit 1968 në Lipjan dhe rrethina, ku kërkesa kryesore e këtyre demonstratave ishte liria e përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar dhe Kosova Republikë.

Profesor Kelmendi u burgos, u persekutua, u torturua nëpër burgjet serbe, por asnjëherë nuk u dorëzua deri në frymën e tij të fundit, duke iu mësuar nxënësve të tij dhe brezave të rinj dashurinë për gjuhën shqipe, flamurin kombëtarë, Shqipërinë mëmë, si dhe sakrificën për liri dhe bashkim.

Gjithashtu, sot nderojmë dhe vlerësojmë edhe veprën dhe heroizmin e Rrustem Bruçit.

Komandant Rrustem Bruçi, në vazhdim të idealeve të brezave të mëhershëm, që në ditët e para doli në radhët e Ushtrisë për Çlirimin e Kosovës.

Organizoi dhe përgatiti luftëtaret e lirisë, çdoherë në ballë të betejave, duke iu prirë ushtarëve dhe bashkëluftëtarëve të tij në luftën për liri.

Komandant Rrustem Bruçi, intelektuali dhe ushtaraku i rrallë, e dha jetën për lirinë e Kosovës, në njërën prej betejave më të rëndësishme të UÇK-së, në betejën e Loxhës afër Pejës.

Është në nderin tonë, që brezave të sotëm dhe atyre të ardhshëm, me vlerësimin, që iu bëjmë figurave të nderuara, që kanë dhënë çdo gjë për kombin, t’iu japim porosinë se për mbrojtjen e Atdheut duhet luftuar me pendë dhe me pushkë, me ideal, dije dhe sakrificë sublime.

Nder dhe lavdi për të gjithë ata që kontribuuan dhe dhanë jetën për kombin tonë dhe trojet shqiptare!

Nder dhe lavdi edhe për çikat e Kosovës, që po shkëlqejnë edhe sot në nivel botëror dhe na bëjnë krenar të gjithë ne shqiptarëve!”

SHKARKO APP