Presidenti Meta vlerëson kompozitorin Çesk Zadeja me dekoratën “Nderi i Kombit”
Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi me anë të një ceremonie solemne të zhvilluar në Universitetin e Arteve, kompozitorin dhe muzikantin e shquar shqiptar Çesk Zadeja (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”.
Titulli i lartë, ju akordua me motivacionin: “Për vlerat e çmuara si themelues i institucioneve muzikore artistike shqiptare; me vlerësim kompozitorit, që la gjurmë të pashlyeshme në muzikën tonë kombëtare; dekanit të përhershëm të shkollës shqiptare të kompozimit si dhe artistit, i cili lartësoi me muzikën, veprën e tij artistike, pedagogjike dhe shkencore në mbarë botën, traditat dhe emrin e Shqipërisë”.
Gjatë fjalës së mbajtur në prani të Rektorit të Universitetit të Arteve, Kastriot Çaushi, artistëve, muzikantëve e familjarëve të Profesor Zadesë, Presidenti Meta u shpreh se sot, Prof. Zadeja është vërtet i larguar fizikisht, “por vepra e tij është mes nesh, vepër që konsiderohet si pjesë e trashëgimisë më të mirë kulturore e artistike të Shqipërisë, në të gjitha kohët dhe që na bën krenar”.
Fjala e presidentit Meta
“Që prej viteve ’50, emri i profesor Zadesë lidhet ngushtësisht me historinë e muzikës sonë, një herë e përgjithmonë. Në këtë periudhë, ai filloi jetën artistike të krijuesit të kompletuar të muzikës shqiptare me kompozicionet e tij.
Ndër veprat e parë të këtij procesi krijues janë muzika legjendare e filmit Skënderbeu dhe Simfonia e parë e madhe e muzikës shqiptare.
Këto vepra, manifeste të vërteta të artit muzikor shqiptar, ishin prova më e mirë se muzika shqiptare po ridimensionohej dhe po reformohej përkrah një kuadri europian.
Vepra e Profesor Zadesë, me një identitet të spikatur, inicioi për muzikën shqiptare një “erë të re” dhe njëkohësisht, kjo muzikë që përshkruhej si “e re” dhe “moderne” shndërrohej gradualisht në pjesë të historisë, duke zënë vend në fondin e artë të krijimtarisë sonë.
Veprat dhe kontributi i Profesor Zadesë është një, me vetë rrugën që përshkroi historia e muzikës së vendit tonë. Brenda saj është tradita, risia dhe e ardhmja jonë.
Nëse veprat muzikore janë njëra pjesë e punës së Prof. Zadesë, pjesa tjetër është e lidhur me kontributet e tij të jashtëzakonshme pedagogjike, artistike e shkencore, të cilat janë aq të mëdha sa me të drejtë është quajtur edhe nga të huajt si “babai i muzikës dhe i kompozitorëve shqiptarë”.
Ne të gjithë i njohim ish-nxënësit e Prof. Zadesë edhe ata shumë emra të mëdhenj, Tonin Harapin, Kozma Laron, Limoz Dizdarin, Shpëtim Kushtën, Aleksandër Peçin, Thoma Gaqin, Kujtim Laron dhe shumë e shumë personalitete të tjera.
Në rrugëtimin e tij, Prof.Zadeja synoi të bënte një reformim të vërtetë të muzikës sonë, duke e orientuar procesin e zhvillimit të muzikës shqiptare për nga rrёnjёt muzikore etnike tё muzikёs sonё tradicionale.
Nё vitin e fundit tё jetёs, Prof. Zadeja la nё dorёshkrim edhe librin e tij tё çmuar “Vetёparja e procesit“, i cili u botua pas vdekjes nёn kujdesin e familjes së Tij dhe të akademikut Vasil Tole.
Prof. Zadeja shprehet se: “Për të qënë në thellësi kombëtar, duhet të njohim rrënjët e mendimit të krijimtarisë popullore”.
Ky libër është njëkohësisht dëshmi e rolit të tij përbashkues si lider shpirtëror i muzikës sonë dhe pjesë integrale e trashëgimisë kulturore europiane të shqiptarëve.
Emri i Prof. Çesk Zadesё ёshtё i lidhur ngushtё me njё nga simbolet tona kombёtare, me “Himnin Kombёtar”.
Orkestrimi, që i madhi Zadeja, realizoi në vitin 1995, është kthyer sot nё njё standard artistik e ligjor pёr interpretimin e drejtё tё tij.
Sot, Prof. Zadeja është vërtet i larguar fizikisht, por vepra e tij është mes nesh, vepër që konsiderohet si pjesë e trashëgimisë më të mirë kulturore e artistike të Shqipërisë, në të gjitha kohët dhe që na bën krenar.
Për kontributin e jashtëzakonshëm për muzikën tonë kombëtare si dhe për gjithë veprën e tij artistike, shkencore e pedagogjike, në interes të kombit tonë, kam nderin t’i akordoj
Prof. Çesk Zadesë, Dekoratën e lartë “Nder i Kombit”.