Presidenti Nishani: ”Dënoj aktin që përgjaku muajin e Ramazanit”
Sulmi në aeroportin e Stambollin ku humbën jetën 36 persona dhe 147 mbetën të plagosur deri më tani. Mesazhet e liderëve botërorë nuk kanë munguar për të shprehur dhimbjen dhe solidaritetin e tyre për këtë ngjarje. Presidenti i Republikës i ka dërguar një mesazh ngushëllimi Presidentit Turk Erdogan, pas sulmit terrorist në Turqi, ku ka thënë se ky sulm ka përgjakur muajin e shenjtë të Ramazanit.
Presidenti Nishani në mesazhin ngushëllues i jep kurajo qytetarëve turq, por edhe qeverisë për këtë akt që e konsideron si të urryer, duke i shprehur gatishmërinë e Shqipërisë në këto momente ndaj tij. Ai thekson se është i tronditur dhe i revoltuar nga ky sulm të cilin e ka cilësuar si të urryer që synojnë të trembim destabilitetin e Turqisë.
Mesazhi ngushëllues i Presidentit të Republikës Bujar Nishani
“I nderuar Zoti President,
Jam shumë i tronditur dhe i revoltuar nga sulmet terroriste në aeroportin ndërkombëtar të Stambollit, ku humbën jetën dhjetëra persona e shumë të tjerë u lënduan. Me ndjenjë të thellë trishtimi e hidhërimi, i shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjarëve të viktimave, popullit mik turk, Juve dhe qeverisë suaj, si dhe të lënduarve i uroj shërim sa më të shpejtë. I dënoj me forcën më të madhe këto akte të urryera terroriste që përgjakën muajin e shenjtë të Ramazanit dhe synojnë të trembin e destabilizojnë Turqinë mike, si dhe ju siguroj se në këto momente të vështira e kritike, unë dhe populli shqiptar jemi pranë jush, pranë familjarëve të viktimave dhe popullit mik turk. Zoti ju dhëntë qetësi, kurajë e forcë për përballimin dhe kapërcimin sa më shpejt të kësaj situate tronditëse e kritike!” – theksohet në mesazhin e Kreut të Shtetit shqiptar drejtuar Presidentit të Turqisë, Erdoğan.
KOHA JONË SONDAZH

