Presidenti Nishani-Glover: Zgjedhjet 2015, vullneti politik kyç, por nuk përkthehet dot në ligj
Presidenti i Republikës Bujar Nishani priti në një takim përmbyllës Ambasadoren Audrey Glover, Kreu i Misionit Monitorues të ODIHR-it për zgjedhjet lokale 2015 në Shqipëri.
Gjatë takimit, Presidenti Nishani foli rreth rëndësisë që patën këto zgjedhje në Shqipëri, në kontekstin e hartës së re administrative dhe përgjegjësive të reja që pritet të marrin drejtuesit e rinj të Bashkive në vend. Kreu i Shtetit theksoi se zgjedhjet mbeten një test i përhershëm i maturimit dhe funksionimit të institucioneve dhe mekanizmave zgjedhore, klasës politike por edhe të përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë qytetare.
Duke bashkëndarë vlerësimet dhe shqetësimet e ekipit të monitorimit të ODIHR, të reflektuara edhe në raportin e ndërmjetëm të bërë publik, Presidenti Nishani sugjeroi disa rekomandime për t’u marrë parasysh në interesin më të mirë publik, duke shpresuar se adresimi në kohë i tyre do të kontribuojë më tej në përmirësimin e kulturës politike në Shqipëri.
Ambasadorja Glover vuri në dukje se vullneti politik mbetet kyç në këtë proces, ndërkohë që ai mbetet i pakodifikueshëm në legjislacion. Ajo bëri me dije se bashkë me ekipin monitorues do të përmbyllin raportin në harkun e 8-10 javëve të ardhshme, duke reflektuar edhe rekomandimet për përmirësimin e mëtejshëm të proceseve të ardhshme zgjedhore në Shqipëri.