Presidenti Nishani, homazhe per viktimat e Brukselit
Presidenti i Republikës,Bujar Nishani bëri sot homazhe për viktimat e akteve terroriste në Bruksel pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ku u prit nga Shefi i Sektorit Politik, Ekonomik dhe të Informacionit, Jan Rudolph, i cili e konsideroi këtë vizitë si shprehje dhe simbol i solidaritetit të sinqertë e të palëkundur të popullit shqiptar.
Kreu i Shtetit shqiptar nënshkroi Librin e Ngushëllimeve të hapur në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë në homazh të viktimave të ngjarjeve tragjike të Brukselit duke lënë këtë mesazh: “Gjendem këtu për të shprehur personalisht, në emër të vendit tim si dhe të mbarë qytetarëve shqiptarë ngushëllimet tona më të ndiera për viktimat dhe familjet e tyre dhe solidaritetin e palëkundur me popullin dhe autoritetet belge, pas veprimeve çnjerëzore e të pashpirt që ndodhën të martën në aeroportin dhe metronë e Brukselit. Terrorizmi katil dhe ekstremizmi pa kufij, egërsia dhe vrazhdësia e paprecedent ndaj vlerave dhe parimeve të lirisë dhe demokracisë nuk do të na mposhtin dot kurrë, edhe pse ato po na godasin në zemër të kontinentit tonë evropian, i cili sot është më i bashkuar se kurrë. Këto ditë ndjenja jonë e dhimbjes së thellë dhe e përkrahjes është e pakursyer për popullin belg dhe familjarët e viktimave të pafajshme, ashtu siç ishte disa muaj më parë për popullin francez dhe për këdo tjetër që është goditur padrejtësisht nga barbarizmi i terroristëve, ideologjia e dështuar e të cilëve nuk do të na vërë kurrsesi përfund. Kjo është një ndjenjë e sinqertë dhe po aq i patjetërsueshëm mbetet edhe qëndrimi ynë i bashkuar për të sfiduar dhe mundur këtë kërcënim serioz dhe vdekjeprurës në shekullin XXI. Aleanca e botës së civilizuar kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të çfarëdolloj forme apo ngjyre nuk do të dorëzohet kurrsesi dhe jam i bindur se do të dalim fitimtarë nga kjo betejë të gjithë bashkë! Iu prehtë shpirti në paqe viktimave të akteve barbare e të pakuptimta terroriste të Brukselit dhe Zoti iu dhëntë forcë dhe kthjelltësi familjeve e të afërmve të tyre, ashtu edhe autoriteteve të Evropës së Bashkuar për ta përballuar me sukses këtë situatë tragjike!”
Presidenti Nishani u shpreh para medieve të pranishme duke theksuar se: “Isha sot pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, i cili kishte ofruar mundësinë e shprehjes së solidaritetit dhe njëkohësisht të dhimbjes që edhe qytetarët shqiptarë kanë ndierë për shkak të akteve barbare më të fundit të shfaqura në Bruksel. Isha në këto momente pranë Delegacionit për të përcjellë në emër të qytetarëve e të shtetit shqiptar ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet e viktimave të akteve barbare dhe kriminale të ndodhura në Bruksel; për të shprehur gjithë solidaritetin e popullit shqiptar dhe të Shqipërisë me Belgjikën, popullin belg dhe me Bashkimin Evropian si dhe me mbarë botën e qytetëruar, e cila po përballet me akte të tilla të terrorit, me kërcënime të drejtpërdrejta dhe me vepra përtej marrjes me mend, të cilat kanë shkaktuar një dhunë barbare në mes të kryeqytetit të Evropës siç është Brukseli. Konfirmova vendosmërinë e Shqipërisë dhe të shtetit shqiptar për të qenë njëkohësisht pranë aleancës evropiane dhe asaj mbarëbotërore të luftës kundër terrorit, terrorizmit, ekstremizmit e dhunës dhe njëkohësisht duke garantuar jo vetëm këtë angazhim, por edhe shpirtin dhe identitetin evropian, kulturën dhe civilizimin shqiptar. Dhimbja padyshim që është një element që na bashkon të gjithëve, por nga ana tjetër jemi të vendosur që ta përballim në mënyrë të përbashkuar këtë të keqe mbarëbotërore: këtë të keqe dhe rrezik ndaj civilizimit dhe të ardhmes sonë. Jam i bindur se asnjë akt i tillë terrori nuk do të na frikësojë, nuk do të na tërheqë dhe nuk do ta lëkundë zhvillimin e mëtejshëm të civilizimit në mbarë botën. Fryma, kultura dhe identiteti evropian do të vijojnë, do të përparojnë dhe do të jenë shembull për civilizimin mbarëbotëror.”
KOHA JONË SONDAZH

