Presidenti Nishani konsultohet me akademikë, rektorë, dekanë dhe pedagogë lidhur me Ligjin për Arsimin e Lartë
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani zhvilloi sot një takim konsultues me përfaqësues të ndryshëm të botës akademike, rektorë, dekanë, pedagogë dhe profesorë nga universitete të ndryshme publike të vendit, të cilët ishin thirrur nga Kreu i Shtetit për t’u konsultuar lidhur me Ligjin e Arsimit të Lartë.
Kreu i Shtetit shqiptar duke e konsideruar Ligjin e Arsimit të Lartë si të një rëndësie madhore dhe me ndikim të gjerë dhe afatgjatë kombëtar, e vlerësoi se takimi konsultues me përfaqësues të spikatur nga bota akademike dhe institucionet e arsimit të lartë është shumë i vlefshëm në procesin e shqyrtimit dhe dekretimit të tij.
“Do të desha sot që përpara se të gjykoj institucionalisht dhe duke ushtruar tagrin dhe përgjegjësitë institucionale dhe kushtetuese të merrja edhe një gjykim dhe vlerësim nga ana juaj rreth sfidës që ofron ky legjislacion për studentët, pedagogët, akademikët, në fund të fundit për trurin e shoqërisë shqiptare.” – nënvizoi Presidenti.
Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh se ky takim konsultues është thirrur “përpara se Presidenti i Republikës të shprehet si interpretues i parë i Kushtetutë së Republikës, duke marrë në konsideratë dhe duke ushtruar fillimisht përgjegjësinë kryesore që ka Institucioni i Presidentit të Republikës për të garantuar tek qytetarët shqiptarë liritë dhe të drejtat themelore të tyre të parashikuara në Kushtetutë si dhe nisur edhe nga ndjeshmëria që ka pasur ky ligj në ambientin akademik dhe atë studentor.”
Presidenti Nishani vuri në dukje se, para se të shprehet përmes dekretit për të kompletuar procesin ligjvënës dhe duke qëndruar tërësisht jashtë debatit politik, që mund të përfshijë qoftë legjislativin dhe qoftë ekzekutivin, dëshironte të parashtronte dy kolonat e parashikuara prej tij në thirrjen e këtij takimi: “Së pari, garantimin e të drejtave të Kushtetutës që kanë të bëjnë me të drejtën e arsimit për shtetasit shqiptarë dhe së dyti, me autonominë e institucioneve të arsimit të lartë dhe këto të argumentuara dhe të marra si përgjegjësi institucionale për të marrë mendimin e personave, të cilët e kanë të lidhur aktivitetin e tyre pikërisht për çështjet që do të diskutohen”.
Me këtë rast Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen ndaj të pranishmëve, të cilët pranuan të diskutojnë rreth një ligji kaq të rëndësishëm për botën universitare, studentët, pedagogët, akademikët, por në tërësi për shoqërinë shqiptare, e cila si resurs dhe kapital të madh intelektual dhe njerëzor ka padyshim studentët, por dhe pedagogët dhe profesorët.
Presidenti Nishani vlerësoi angazhimin, mendimet dhe propozimet e specializuara, efikase dhe kontribuese të të pranishmëve duke u shprehur se ndihet i nderuar të zhvillojë këtë takim me: “një audiencë profesorësh dhe akademikësh, të cilëve, në emrin tim personal, të Institucionit që unë përfaqësoj në krye të shtetit shqiptar, por jam i bindur edhe të të gjithë qytetarëve shqiptarë, u adresoj falënderimet dhe mirënjohjen më të madhe për punën dhe përkushtimin që kanë dhe që kanë ofruar; për angazhimet intelektuale dhe pedagogjike që janë në një raport jo të drejtë të kontributit me përfitimin.
Kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten më tepër kontribues se sa përfitues nga ana e shoqërisë dhe kjo është një e vërtetë e madhe dhe nuk kemi pse as të ndruhemi dhe as, për oportunizëm, të mos e themi dhe të mos e nënvizojmë, sepse janë breza të tërë profesorësh dhe akademikësh, të cilët kanë kontribuar në kushte dhe rrethana të ndryshme. Por ende, në vlerësimin tim, të atilla që do të meritonin një vlerësim shumë të madh nga shteti, institucionet shtetërore, shoqëria në tërësi në aspektin infrastrukturor, në aspektin e resurseve, por dhe të respektit dhe mirënjohjes si elemente, në gjykimin tim, të domosdoshëm dhe të nevojshëm jo vetëm për të nxitur një ambient më të konsoliduar akademik dhe nxënës, por dhe inkurajues dhe vlerësues.”
“Unë nuk e shoh shoqërinë të funksionojë në mënyrë të veçuar, por në harmoni përmes aktorëve dhe të gjithë mekanizmave që ka një shoqëri në një demokraci dhe në një liri funksionimi të rregulluar kjo nga legjislacioni i standardeve, për të cilat kemi punuar dhe vazhdojmë të punojmë, jo vetëm këto 25 vite të fundit, por edhe në kushte dhe sfida të cilat gjithmonë e më shumë bëhen të sofistikuara, më të thella me elementë bartës të cilat herë krijojnë vështirësi formale dhe herë marrin paragjykime subjektive. Gjithsesi vlerësimin unë e kam shumë të sinqertë, e kam të drejtpërdrejtë. Duke përfituar nga rasti me ju që jeni në këtë tryezë dhe për të gjithë stafet akademike, profesorët dhe njëkohësisht duke i drejtuar si Kreu i Shtetit një mesazh inkurajues dhe vlerësues edhe studentëve në të dyja raportet; qoftë të vlerësimit të angazhimeve të tyre, si kontribut i familjeve të tyre, si kontribut i tyre personal, por dhe i respektit ndaj trupës akademike, profesoratit, sepse e gjykoj si një element të kulturës dhe emancipimit dhe kohezionit të zhvillimit të një shoqërie.” – u shpreh Presidenti Nishani gjatë fjalës së Tij.
Akademikët, rektorët dhe profesorët e pranishëm në takimin konsultues, pasi shprehën mirënjohjen e tyre për ftesën e Kreut të Shtetit, ofruan mendimet dhe argumentet e tyre profesionale pro dhe kundër ligjit për arsimin e lartë si dhe premtuan që të vazhdojnë përpjekjet e tyre intelektuale në drejtim të rritjes së ndjeshmërisë së ligjbërësve dhe mbarë shoqërisë shqiptare si dhe ndaj përmirësimit të vazhdueshëm të legjislacionit e përafrimit të tij sa më shumë me standardet më të mira bashkëkohore evropiane dhe botërore.
KOHA JONË SONDAZH

