Presidenti Nishani merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentes së re të Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani, mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të Presidentes së re të Kroacisë, Zonjës Kolinda Grabar-Kitaroviç, e cila ndër të tjera në fjalën e saj i kushtoi një vëmendje të veçantë marrëdhënieve me vendet fqinje dhe theksoi rëndësinë strategjike për vetë Kroacinë të integrimit të gjithë rajonit e Evropës Juglindore në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Presidenti i Republikës përshëndeti marrjen e detyrës nga zonja Grabar-Kitaroviç dhe duke vlerësuar eksperiencën e saj politike dhe diplomatike, shprehu besimin se ajo do të jetë jo vetëm një Presidente e shkëlqyer për vendin e saj Kroacinë, por dhe një mbështetëse dhe avokate shumë e mirë për procesin e afrimit të vendeve të rajonin të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Në ceremoninë e inaugurimit të Presidentes së Kroacisë morën pjesë Kryetarë Shtetesh, si dhe personalitete të larta nga vendet e Evropës, ku ishin të pranishëm pothuaj të gjithë Kryetarët e Shteteve të Ballkanit Perëndimor.