Presidenti Nishani pret homologun Erdoan

 

I nderuar President i Republikës së Turqisë,

I dashur Rexhep,

Të nderuar zonja dhe zotërinj Ministra,

Kam kënaqësinë e madhe që të mirëpres në Institucionin e Presidentit të Republikës, Përfaqësuesin më të lartë, të nderuar, të një vendi mik për Shqipërinë e shqiptarët, Presidentin turk, Rexhep Taip Erdoan, i cili na nderon sot me vizitën zyrtare në Tiranë.

 

I shpreha Presidentit Erdoan mirënjohjen time dhe të gjithë popullit shqiptar për mbështetjen që Turqia, ky vend mik, u ka dhënë Shqipërisë e shqiptarëve ndër vite, përfshirë përkrahjen e pakursyer për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, njohjen e pavarësisë së Kosovës, lobimin për pranimin e saj ndërkombëtar, si dhe për rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror në Shqipëri.

 

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë janë tashmë të mirëvendosura mbi baza të konsoliduara në miqësinë dhe lidhjet tradicionale mes dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe mbi interesat strategjike që bashkëndajmë në rrafshe të ndryshme.

 

Me ambicien e përbashkët për t’i thelluar e zgjeruar gjithnjë e më shumë këto marrëdhënie, bashkë me Presidentin Erdoan biseduam gjerësisht mbi të gjitha fushat ku bashkëpunimi ynë ka potencial rritjeje të mëtejshme, por dhe mbi ato sektorë ku cilësia e e bashkëpunimit ka vend për t’u përmirësuar me një koordinim dhe bashkërendim më efikas.

 

Marrëdhëniet dypalëshe me vendeve tona shtrihen në një rrafsh shumë të gjerë, bashkuar nga lidhjet tradicionale, përfshirë ato kulturore dhe të mirëkuptimit të shkëlqyer të ndërsjelltë. Bashkëpunimin tonë dypalësh e lidhin plot 89 marrëveshje, protokolle dhe memorandume, duke nisur me Traktatin e Miqësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit e duke vijuar me marrëveshjet në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, ekonomisë, nxitjes së investimeve, rendit publik, mbrojtjes, etj.

 

Një nga temat kryesore të bisedimeve të përzemërta që patëm me Presidentin Erdoan ishte bashkëpunimi ekonomik, ku konstatuam se për vitin 2014, Turqia zë vendin e katërt si partner i tregtisë së Shqipërisë. Në pesë vitet e fundit, shkëmbimet ekonomike midis dy vendeve tona kanë njohur rritje të dukshme, dhe investimet e drejtpërdrejta turke dhe shërbimet kontraktuese kanë arritur në mbi 1 miliardë USD. Aktualisht në Shqipëri veprojnë rreth 296 kompani turke të përqendruar kryesisht në prodhimin e hekurit dhe çelikut, telekomunikacion, sektorin bankar, miniera etj. Bashkërisht ne vlerësuam se ka hapësira ende të pashfrytëzuara për rritjen e mëtejshme të volumit të shkëmbimeve tregtare.

 

E sigurova mikun Erdoan se Shqipëria i mirëpret investimet e kompanive turke në sektorë strategjikë si energji e infrastrukturë, si dhe në bujqësi, logjistikë, etj.

 

Duke vlerësuar rolin e rëndësishëm gjeostrategjik të Turqisë, ne u ndalëm në bashkëpunimin në fushën e energjisë, një nga prioritetet dhe sfidat e mëdha jo vetëm për vendet tona por edhe për rajonin. Në këtë kuadër ne ramë dakord mbi rëndësinë strategjike që paraqet zbatimi i projektit TAP, jo vetëm në funksion të diversifikimit të burimeve energjetike por edhe impaktit tejet pozitiv e ndërlidhës që ky projekt ka mbi ekonomitë e vendeve tona.

 

Kjo vizitë padyshim ka si synim të nxisë bashkëpunimin edhe mes agjencive tona për investimet e huaja dhe promovimit të eksporteve, duke vlerësuar si veçanërisht të rëndësishëm bashkëpunimin për zhvillimin e zonave ekonomike dhe parqeve industriale.

 

Fusha e transportit është një tjetër fushë prioritare e Shqipërisë,  dhe investimet turke janë të mirëpritura për ndërhyrjet në rrugë për rritjen e sigurisë rrugore, projektin e rehabilitimit të rrjetit hekurudhor kombëtar dhe procesin e përmirësimit të kapaciteteve të porteve shqiptare.

 

Çështjet e sigurisë, gjithashtu patën një vend të posaçëm në bisedimet me Presidentin Erdoan, dhe Marrëveshja që sapo u firmos nga Ministrat e Brendshëm të dy vendeve tona, i shërben pikërisht kësaj fryme, duke synuar marrjen e eksperiencave më të mira e konsoliduara për përmirësimin e infrastrukturës së sigurisë.

 

Lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, dhe terrorizmit janë sot sfida globale, që kërkojnë një qasje të koordinuar mes vendeve. Ndaj kjo marrëveshje e arritur sot, mes dy vendeve aleate në NATO, kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, besojmë se forcon jo vetëm bashkëpunimin efikas dypalësh në këtë fushë, por i shërben edhe aspiratave tona respektive integruese, dhe dinamizon agjendën e përbashkët në kuadër të Aleancës.

 

Dimensioni mesdhetar i marrëdhënieve tona, dhe gjithë problematika që shoqëron këtë rajon ishin gjithashtu në fokus të bisedimeve mes dy delegacioneve tona.

 

Lufta kundër terrorizmit dhe fenomeni i luftëtarëve të huaj përbëjnë shqetësim të madh, pasi ato përbëjnë rrezik për vendet nga kalojnë, tek vendet ku shkojnë, por edhe për vendet e origjinës. Rreziku i terrorizmit dhe ekstremizmit ka treguar se vendet janë të ndërvarura përsa i takon sigurisë së tyre, dhe se nuk mund ta luftojnë të vetme këtë rrezik. Shqipëria e ka mbështetur aktivisht koalicionin ndërkombëtar kundër ISIL dhe përpjekjet për ta shkatërruar plotësisht atë.

 

Ne kemi qenë ndër vendet e para që iu përgjigjëm kësaj kanosjeje ndërkombëtare, dhe mbetemi të gatshëm të vijojmë kontributin në këtë drejtim. Kontributi ynë modest mbështetet mbi një nga vlerat më të çmuara të vendit tonë, që është bashkëjetesa harmonike ndërmjet besimeve të ndryshme fetare. Është ky model që ne natyrshëm e kemi ndërtuar dhe duhet ta promovojmë por edhe ta mbrojmë fort e me vendosmëri.

 

Me Presidentin Erdoan një vëmendje të veçantë i kushtuam gjithashtu rajonit të Ballkanit Perëndimor, ku ne bashkëpunojmë ngushtësisht edhe në kuadër të nismave të ndryshme rajonale. Pas dy javësh Shqipëria do të mbajë Samitin përmbyllës të Presidencës shqiptare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, (SEECP) nën moton Pronësia Rajonale në Veprim.

 

Duke njohur rolin kyç që Shqipëria dhe faktori shqiptar luan në këtë rajon, si dhe duke gëzuar me mirënjohje mbështetjen që Turqia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë konsolidimit të këtij faktori stabilizues dhe konstruktiv në rajon, ne u ndalëm edhe në ngjarjet thellësisht shqetësuese në Maqedoni.

 

Me këtë rast dua të theksoj, duke përcjellë ngushëllimet për humbjet tragjike të jetëve në Kumanovë dhe duke dënuar dhunën, se kriza që ka përfshirë Maqedoninë nuk duhet lejuar të përshkallëzojë më tej. U bëj thirrje aktorëve ligjzbatues të hetojnë sa më parë dhe të zbardhin shpejt e plotësisht këtë ngjarje plot hije e paqartësi që ka tronditur thellë jo vetëm Kumanovën dhe qytetarët e saj të pafajshëm por të gjithë rajonin dhe partnerët ndërkombëtarë. Po kështu, bëj thirrje për frenimin e menjëhershëm të përpjekjeve për ta shndërruar këtë episod të paqartë, gjithsesi të izoluar, në burim konflikti të paqenë ndëretnik, dhe në vend të saj përqëndrimin e energjive në zgjidhjen e të gjitha çështjeve mes palëve, me dialog, përfshirë zbatimin e plotë e paekuivok të Marrëveshjes së Ohrit. Ju gjendemi pranë, në solidaritet të plotë, qytetarëve të Kumanovës, të cilët enden në orët e ankthit dhe pasigurisë për jetët dhe pronën e tyre, duke apeluar për vetëpërmbajtje, qetësi dhe maturi në përballimin e kësaj situate tejet të vështirë.

 

Ashtu sikurse i rikonfirmova kolegut Erdoan, Shqipëria mbetet e vendosur për të punuar me të gjitha vendet e rajonit në shërbim të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe begatisë të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kjo qasje konstruktive dhe e sinqertë e bashkëshoqëruar me reformat e brendshme besojmë se do të na çojë bindshëm në destinacionin final dhe aq të dëshiruar, atë të integrimit evropian. Dhe ky rrugëtim bëhet më i lehtë e i qëndrueshëm në partneritet dhe ndihmën e miqve, të cilët Shqipëria e shqiptarët i kanë sot më të shumtë se ndonjëherë në historinë e tyre.

 

Duke shprehur edhe një herë mirëseardhjen e përzemërt për mikun Erdoan, me besimin se kjo vizitë do të shërbejë për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit shumë të mirë mes dy vendeve tona, më lejoni t’i jap fjalën për të dhënë vlerësimet e tij.

 

Ju faleminderit!

SHKARKO APP