Presidenti Nishani takohet me homologen kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç

 

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani zhvilloi sot, pas ceremonisë së inaugurimit, një takim të veçantë dypalësh me Presidenten e re të Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç.

Presidenti Nishani e përgëzoi edhe njëherë Presidenten Grabar-Kitaroviç për marrjen e detyrës, si dhe e falënderoi për ndihmën bujare që Kroacia ofroi për familjet e prekura nga përmbytjet e javëve të fundit në jugun e Shqipërisë, duke e quajtur atë një provë të qartë të miqësisë së sinqertë mes dy popujve dhe dy vendeve.

Presidenti i Republikës i vlerësoi të shkëlqyera dhe historike marrëdhëniet mes dy vendeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe theksoi se niveli i shkëlqyer i bashkëpunimit politik duhet të shoqërohet edhe me intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, i cili nuk i përgjigjet këtij niveli. Presidenti Nishani vlerësoi se, tashmë që Shqipëria është një vend Kandidat për në Bashkimin Evropian dhe Kroacia një Vend Anëtar i saj, mundësitë për të eksploruar dhe rritur bashkëpunimin ekonomiko-tregtar mes dy vendeve janë më të mëdha. Kreu Shtetit evidentoi mundësitë reale që ekzistojnë në sektorët e energjisë, turizmit, infrastrukturës e bujqësisë, si dhe në kuadrin e projektit strategjik të gazsjellësit TAP. Të dy Presidentët theksuan mbështetjen për ndërtimin e korridorit Blu Adriatiko-Jonian, si një korridor që do të zhvillojë të gjithë rajonin.

Presidenti i Republikës vlerësoi gjithashtu rolin e rëndësishëm të Kroacisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe ndihmën e madhe që Kroacia po i jep Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit evropian. Presidenti Nishani theksoi se, Kroacia mbetet në rajon modeli më i mirë për t’u ndjekur në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, duke shprehur besimin se ndihma e Kroacisë dhe e Presidentes Kitaroviç në mbështetje të Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk do të mungojnë.

Të dy Presidentët theksuan nevojën e thellimit dhe forcimit të bashkëpunimit në kuadrin e nismave shumëpalëshe dhe rajonale, ku të dy vendet po luajnë një rol të rëndësishëm dhe gjithëpërfshirës.

 

 

 

 

 

 

SHKARKO APP