Presidenti Nishani u uron Krishtlindjen besimtarëve të krishterë shqiptarë

“Të dashur besimtarë të krishterë shqiptarë kudo ku ndodheni,

Me rastin e ditës së shenjtë të Krishtlindjes dëshiroj t’ju shpreh urimet më të mira e të përzemërta në këto çaste të lumtura!

Dita simbol e lindjes së Krishtit dhe e farkëtimit të besimit në Zot, lind sërish në zemrat e mbarë besimtarëve të krishterë ndjenjat dhe përjetimet e gëzimit e të shpresës për një të ardhme të ndritur, ku të gjithë bashkojnë përpjekjet për të përsosur vlerat më të larta e më fisnike njerëzore.

Sot ne urojmë familjarët, të afërmit, miqtë, të njohurit ashtu siç kemi bërë prej shekujsh e në të njëjtën mënyrë që kemi trashëguar brez pas brezi si shqiptarë, duke kremtuar të gjithë së bashku festat e njëri-tjetrit në vazhdën e traditës sonë të vyer e të rrallë të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare.

Në këtë ditë të bekuar, mendja na shkon dhe zemrat tona rrahin për njerëzit fatkeqë, të cilët kanë më shumë nevojë për ngrohtësi dhe dhembshuri njerëzore: për ata që ndihen të vetmuar, të braktisur, të pamundur e të sëmurë, për ata që kanë humbur përkohësisht shpresën dhe besimin tek e ardhmja duke u përpjekur sadopak t’ua rikthejmë ato e t’ua lehtësojmë vuajtjet dhe mundimet.

Kremtimi i Krishtlindjes na ofron një mundësi të mirë për të rritur solidaritetin tonë njerëzor duke i uruar shoqi-shoqit jo vetëm shëndet dhe begati, por edhe duke u përpjekur së bashku si komb për t’i arritur dhe jetësuar ato për të gjithë pa dallim!

Kjo Krishtlindje po festohet në mbyllje të një viti mbresëlënës e historik kur mikpritëm denjësisht Atin e Shenjtë dhe morëm me meritë statusin e vendit kandidat.

Nuk na mbetet veçse të lemë mënjanë ndasitë e përkohshme e të bashkojmë forcat, energjitë dhe mençurinë, me urimin që Zoti do të vazhdojë ta bekojë Shqipërinë dhe shqiptarët në rrugëtimin tonë të pandalshëm drejt begatisë e përparimit, si dhe për t’u bërë pjesë e denjë e familjes së madhe evropiane!

Gëzuar dhe për shumë vjet Krishtlindjen!” – thuhet në mesazhin e urimit të Kreut të Shtetit shqiptar.

SHKARKO APP