Presidenti Nishani viziton komunën e Shishtavecit

 

Presidenti i Republikës Bujar Nishani vizitoi sot komunën e Shishtavecit për t’u takuar e biseduar me banorët e zonës dhe përfaqësuesit lokalë dhe të Qarkut të Kukësit rreth fenomenit të eksodit, të rishfaqur kohët e fundit.

Presidenti Nishani vlerësoi pritjen vëllazërore dhe shprehu vlerësimin e tij maksimal për banorët e Komunës Shishtavec dhe të gjithë qytetarët e qarkut të Kukësit të cilët punojnë me dedikim e ndershmëri, duke nderuar veten e vendin e tyre. Kreu u Shtetit theksoi se ndante me dhimbje shqetësimin për largimet masive familjare qe kanë prekur edhe këtë zonë të Shqipërisë, ashtu sikurse shumë zona të tjera të vendit. Duke bërë apel për mosbraktisjen e shtëpive, fshatrave e qyteteve, Presidenti iu bashkua shqetësimit të banorëve për zgjidhjen emergjente të situatës dhe ofrimin e planeve zhvillimore afatmesme e afatgjata për këto zona. Duke parë tronditjen e thellë të besimit dhe mungesën e shpresës, Presidenti Nishani i bëri thirrje qeverisë që të lerë urgjent zyrat dhe t’u ndodhen pranë qytetarëve të vendit të dëgjojnë shqetësimet dhe t’u japin zgjidhje problemeve të tyre.

Duke dënuar skemat e mashtrimit që elementë kriminalë përdorin në dëm të qytetarëve, Presidenti bëri thirrje edhe një herë që zgjidhja të mos shihet tek mbyllja e kufirit, por tek dhënia e alternativave dhe zgjidhjeve konkrete.

 

Kryetari i Komunës, ai i Qarkut dhe banorët e zonës informuan mbi kushtet e vështira të jetesës, dhe veçanërisht për vrasjen e shpresës tek të rinjtë, të cilët shohin të vetmen alternativë braktisjen e vendit. Ata kërkuan nga Presidenti sensibilizimin dhe vënien përpara përgjegjësive të qeverisë, ndalimin e retorikës së ashpër politike dhe fokusimi tek problemet reale të qytetarëve dhe kërkuan ndihma humanitare për të ndaluar shpopullimin e verilindjes së Shqipërisë. Banorët e zonës kërkuan mbështetje për përkrahjen e projekteve që kanë hartuar në nivel lokal, përfshirë në subvencionimin, sigurimin e tregjeve për shitjen e produkteve bujqësore si dhe realizimin e projekteve infrastrukturore dhe ndër-kufitare.

 

Presidenti Nishani premtoi se do ta ndjekë me përparësi absolute këtë situatë, do të kërkojë mbështetjen dhe zbatim të menjëhershëm të projekteve lokale dhe do kërkojë nga ekzekutivi ndërmarrjen e politikave qeverisëse urgjente për ndalimin e kësaj hemorragjie me përmasa kombëtare.

SHKARKO APP