Presidenti pritet të rikthejë për rishqyrtim ligjin për Arsimin e Lartë
Pas kthimit për rishqyrtim të ligjit të Turizmit një ditë më parë, Presidenti i Republikës pritet të bëjë të njëjtën gjë edhe me ligjin për Arsimin e Lartë. Burime të sigurta brenda Zyrës së Presidentit të Republikës, thanë se kreu i shtetit, brenda kësaj jave do t’i kthejë Kuvendit për rishqyrtim edhe ligjin për të cilin pati shumë debate, para dhe pas miratimit të tij me votat e shumicës në Kuvend.
Një këshill i pedagogëve të universiteteve publike e kundërshtuan fort atë ligj, ndërsa nuk kanë lënë pa kritikuar edhe opozitën, që sipas tyre, u kujtua shumë vonë për t’a kundërshtuar atë publikisht.
Në takimin konsultues që pati në Presidencë me dekanë, rektorë e pedagogë të universiteteve publike, para vendimit për dekretimin e ligjit të Arsimit të Lartë, Nishani tha se ky takim është thirrur “përpara se Presidenti i Republikës të shprehet si interpretues i parë i Kushtetutës së Republikës, duke marrë në konsideratë dhe duke ushtruar fillimisht përgjegjësinë kryesore që ka Institucioni i Presidentit të Republikës, për të garantuar tek qytetarët shqiptarë liritë dhe të drejtat themelore të tyre, të parashikuara në Kushtetutë, si dhe nisur edhe nga ndjeshmëria që ka pasur ky ligj në ambientin akademik dhe atë studentor.”
Disa ditë më pas, Presidenti Nishani priti edhe Ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, nga e cila mësoi argumentet zyrtare të hartimit të ligjit. Por mesa duket, Presidenti Nishani është bindur më shumë nga akademikët dhe pedagogët, të cilët e kundërshtuan ligjin, sesa nga Ministrja Nikolla si hartuese dhe mbrojtëse e tij.
Tashmë, kthimi mbrapsht edhe i ligjit për Arsimin e Lartë është formalitet i ditëve të ardhshme për t’u rishqyrtuar sërish nga Kuvendi me nisjen e sesionit të ri në Shtator. Nuk dihet nëse mazhoranca do e kalojë sërish të paprekur ligjin që do kthehet nga kreu i shtetit, apo do t’i rishohë pikat e kontestuara. Edhe disa deputetë të mazhorancës të cilët nuk e votuan ligjin edhe pse ishin të pranishëm në seancë, pritet të bëjnë oponencën e tyre me rastin e rikthimit të tij për rishqyrtim nga kreu i shtetit.